Telegrafi

Feride Rushiti nderohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit me çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka njoftuar se drejtoreshës së kësaj organizate, Feride Rushiti i është ndarë çmimi Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme në vende të ndryshme të botës.

“Ky Çmim ndahet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshëm në avokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Zonja e parë e SHBA-së Melania Trump, i ndau Rushitit këtë çmim në shenjë të përkushtimit, kontributit dhe arritjeve të saj në këto fusha. Me këtë çmim janë nderuar dhjetë gra nga e gjithë bota”, thuhet në njoftimin për media. Me këtë çmim janë nderuar dhjetë gra nga mbarë bota.

Me pranimin e këtij çmimi në Washington DC, Rushiti do të ndjekë Programin Ndërkombëtar për Lidership, në kuadër të të cilit do të vizitojë shtete të ndryshme në SHBA dhe do të ketë takime me organizata dhe biznese të ndryshme, me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit në zhvillimin e politikave dhe strategjive për fuqizimin e rolit të gruas në SHBA dhe jashtë saj. /Telegrafi/