Rio Ferdinand i ka bërë thirrje ish-skuadrës së tij, Manchester Unitedit dhe Liverpoolit që të shfrytëzojnë shansin për të nënshkruar me yllin e Manchester Cityt, Raheem Sterling.
Sipas ish-mbrojtësit anglez, tani ekspert televiziv, të dy klubet që ndjekin titullin mund të ndihmojnë veten e tyre duke nënshkruar me Sterling, i cili aktualisht e gjen veten në një pozicion jo të mirë në Etihad.
Reprezentuesi anglez ka filluar vetëm dy nga gjashtë ndeshjet e Cityt deri më tani këtë sezon, njëra prej të cilave ishte barazimi zhgënjyes i skuadrës në shtëpi 0-0 kundër Southampton këtë fundjavë.
Tashmë janë shfaqur raporte që e lidhin Sterlingun me një huazim nga City në janar, me Barcelonën që mendohet të jetë një nga klubet e interesuara për një marrëveshje të mundshme.
Ish-mbrojtësi i Anglisë dhe Unitedit, Ferdinand është “i hutuar” nga mospërdorimi i anësorit golashënues dhe ka këshilluar disa klube ta transferojnë atë.
“Ku është Raheem Sterling? Ai ka humbur besimin sepse është larguar nga ekipi”, ka thënë fillimisht Ferdinand.
“Ai ishte djaloshi kur ata kishin nevojë për një gol, për kaq shumë vite, dhe tani krejt papritur ai është në shkretëtirë”.
“Jam i hutuar nga kjo, thjesht nuk e kuptoj. Me Pep, ai tani më shpesh nuk po luan, por duhet të ketë klube dhe të shohim se si do të largohet sepse unë do të merrja Sterling gjithë ditën!”.
Sipas Ferdinandit, nuk do të kishte mungesë të kërkuesve të mundshëm nëse Sterling do të zgjidhte një sfidë të re – pasi rivalët më të mëdhenj të Cityt madje mund të tundohen të bëjnë një ofertë.
“Nëse unë jam Liverpooli, do ta blija nesër Sterlingun… Nëse unë jam ai, nuk do të shkoja në Barcelonë apo Real Madrid tani, prandaj thashë Liverpool. Man Utd do ta marrë gjithashtu!”, përfundoi anglezi. /Telegrafi/