Telegrafi

Gratë sipërmarrëse në Shqipëri – flet italiania që la Italinë për Durrësin: Kam kërkesa për zgjerimin e biznesit edhe në Kosovë

Tregu i punës në Shqipëri dhe Kosovë është kryesisht i dominuar nga meshkujt, veçanërisht në fushën e ndërmarrësisë.

Por ka edhe prej tyre që e kanë gjetur veten në sipërmarrje, duke qenë nismëtare të disa bizneseve, të cilat tashmë kanë marrë emër në mbarë territoret shqiptare.

I tillë është rasti i italianes Roberta Zaninuni, e cila la Bergamon e Italisë për Shqipërinë, duke qenë se e gjeti veten në shtetin shqiptar me punën e saj.

Roberta Zaninoni (Foto: Roberta Zaninoni/Instagram)

Në një intervistë për Telegrafin, CEO e ‘Time Skin Care’ tregoi se si e ka gjetur veten në tregun e punës në Shqipëri, më saktësisht në Durrës që është qyteti në të cilin jeton.

“Unë jam Roberta Zaninoni, jam italiane, por jetoj në Shqipëri, jam distributore për Time Skin Care në Shqipëri edhe Kosovë për linja SPA dhe qendra estetike. Kam të gjitha pajisjet për estetikë, në linjën e bukurisë. Bashkëpunoj edhe me hotele, ku bëj trajtime për qendër estetike për klientët edhe në shtëpi”, ka thënë ajo Roberta për Telegrafin.

Në vazhdimësinë e bisedës, Roberta e cila nga jetesa gjashtëvjeçare në Shqipëri ka mësuar të flasë perfekt shqip, tha se për biznesin e saj, interesimi është i madh edhe në Kosovë dhe mbarë trevat shqiptare.

“Interes ka shumë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë kam pasur shumë interes dhe bashkëpunime. Është diçka në kërkesë dhe diçka shumë në modë. Kur kam filluar gjashtë vite më përpara nuk kishte kaq kërkesa sa tani. Sa i përket Kosovës, më shumë në Prishtinë, por do sfiloj besoj edhe në Prizren, Ferizaj, kam kërkesa – për makineri edhe kremëra”, ka thënë Zaninoni për Telegrafin.

Roberta Zaninoni (Foto: Telegrafi)

Ndryshe nga Roberta, Anisa Ceno, një tjetër sipërmarrëse e suksesshme në Shqipëri, e ka pasur mbështetjen e familjes në rrugën drejt zhvillimit të karrierës së saj në biznes.

Ajo dhe familja e saj janë pronarë të “Kraal Hotel” në Vlorë – një nga hotelet më të vizituara nga pushuesit gjatë verës në këtë qytet.

Anisa në një intervistë për Telegrafin, ka treguar se sa e vështirë është të jesh femër sipërmarrëse në Shqipëri.

“Është shumë e vështirë, është një ambient shume mashkullor d.m.th, dhe të dëgjohet fjala dhe të respektohet fjala është shumë e vështirë. Ideja është që pjesa më e madhe e stafit të jenë femra. Më pëlqen që t’ju jap një oportunitet të gjithë femrave ne gjithë pjesën lokale më shumë, në pjesën e Vlorës dhe në gjithë Shqipërinë, në mënyrë që ato të bëhen te pavarura dhe të mund të shikojnë një moment për të bërë karrierë këtu në ‘Kraal Hotel – duke filluar edhe thjesht me një shërbim salle, kamariere, me shërbimin nëpër dhoma, ato mund të bëhen edhe drejtoresha të hotelit, menaxhere, pse jo? Mua më pëlqen që këtë gjë ta shikojnë si oportunitet, një mundësi për të bërë karrierë, d.m.th dhe të krijojnë atë pavarësinë e tyre, në mënyrë që të bëhemi një ambient më i emancipuar për femrën, sepse e shikoj shumë të ndrojtur, d.m.th femra është akoma e lënë pak pas dore në këtë territorin që më rrethon mua, në këtë territorin që jam këtu”, ka thënë Ceno për Telegrafin.

Anisa Ceno (Foto: Telegrafi)

Ajo thotë se në shtetet fqinjë të cilat ka pasur rastin t’i vizitojë, ka parë që femrës i jepet shumë hapësirë në organizatat joqeveritare, të dedikuara për financimin dhe mbështetjen e tyre në ndërmarrësi.

“Jashtë shtetit unë kam qëndruar në Itali, ka dhe shumë politika për zhvillimin e femrës, financime për zhvillimin e aktivitetit te femrës, aktiviteteve te bizneseve, kështu që shpresoj që një ditë edhe Shqipëria të ketë aq shumë financime, sa edhe këtë pjesë d.m.th të marri dritën që meriton – të jetë në reflektorin që meriton, nëpërmjet financimeve për të zhvilluar aktivitetet e tyre personale”, ka thënë Ceno për Telegrafin.

Këto duket të jenë vetëm disa nga shembujt e suksesshëm të femrave, që edhe në Kosovë dhe Shqipëri mund t’ia dilet me punë dhe përkushtim në rrugëtimin që zgjedh. /Telegrafi/