Telegrafi

Femrat në Kosovë paguhen më pak se meshkujt

Burrat gëzojnë pagë më të madhe sesa gratë, pavarësisht kualifikimeve arsimore dhe përvojës se tyre në krahasim më kolegët e tyre meshkuj. Kështu thonë përfaqësues të shoqërisë civile dhe sindikatave të punëtorëve.

Blerta Beqiri, ka përfunduar Fakultetin Ekonomik dhe punon si menaxhere në një kompani private. Ajo pranon se paguhet më pak se sa kolegu i saj mashkull, edhe pse kanë të njëjtën pozitë.

Edhe Shukrije Rexhepi, zyrtare ligjore në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thekson se ekzistojnë raste të tilla në Kosovë, sidomos në sektorin privat. Kjo, sipas saj, ndodh për shkak të shkallës se lartë të papunësisë tek gjinia femërore.

“Në këtë aspekt ka diskriminim. Për shkak të shkallës se lartë të papunësisë, gratë janë të detyruara të punojnë edhe më paga më të ulëta. Ato nuk kërkojnë rritje pagash për shkak të rrezikimit të vendit të punës”, thotë Rexhepi.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, thuhet se vetëm 23 për qind e grave në Kosovë punojnë, ndërsa meshkuj mbi 75 për qind.

Luljeta Demolli nga Qendra për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë se diskriminimi gjinor fillon nga konkurset e shpallura e deri tek pozitat vendimmarrëse, ku edhe pagat janë më të larta. Kështu, sipas saj, grave iu diskriminohet karriera.

“Në Kosovë gruaja shumë pak është e pranishme në pozita vendimmarrëse. Kurse, sa i përket kompanive private, gratë nuk kanë mundësi as të negociojnë për të udhëhequr ndonjë kompani të suksesshme në Kosovë. Pra, ku janë paratë, në ato tavolina janë burrat”, tha Demolli.

Edona Hajrullahu, kryeshefe ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore, thotë se legjislacioni në Kosovë është mjaft i avancuar dhe mbron parimin e barazisë edhe në rastin e pagave, por se kjo çështje sfidohet në sektorin privat.

“Sfidohemi nga ky sektor pasi ndoshta ka dallime në përcaktimin e pagave. Por, megjithatë, këto raste duhet të paraqiten në inspektoratin e punës në kuadër të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thekson Hajrullahu.

Problemi i diskriminimit në vendin e punës nuk është një dukuri, me të cilën preokupohen vetëm gratë në Kosovë. Organizata Ndërkombëtare e Punës në Kombet e Bashkuara ka bërë më dije se gratë në shumë shtete rreth globit, të cilat janë më mirë të arsimuara dhe me më shumë përvojë sesa kolegët e tyre meshkuj, vazhdojnë të paguhen më pak.

Në raportin e fundit mbi pagat në nivel global të publikuar nga kjo organizatë, është konstatuar se burrat janë paguar më shumë se gratë në gjithsej 38 vende të ekzaminuara. Edhe në Evropë, Rusi dhe Brazil, thuhet se gratë janë më të shkolluara e më me përvojë pune, por prapë diferenca në paga ekziston dhe burrat paguhen më shumë se gratë. /REL/