Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodimir Shukrov deklaroi sot se të gjithë fëmijët ukrainas në Shqipëri, kanë mundësi të vazhdojnë procesin e arsimimit të tyre sipas sistemit ukrainas.
Shukrovi tha se prej fillimit të luftës është rritur numri i Ukrainasve të cilët largohen në shtete të tjera për një jetë më të mirë, ku Shqipëria u ka dhënë mundësinë e qëndrimit prej një viti.
Sipas ambasadorit, tha se deri tani nuk ka refugjatë, por ukrainas me statusin e mbrojtjes së përkohshme, dhe se mësimet do të bëhen online sipas sistemit ukrainas.
“Pala shqiptare pranon qytetarët ukrainas me solidaritet dhe dëshirë për t’i ndihmuar. Të gjithë fëmijët ukrainas, në Shqipëri, kanë mundësi të vazhdojnë procesin e arsimimit të tyre sipas sistemit ukrainas, ku mësimi do të bëhet online”, tha Shukrov.
Ai shprehu mirënjohjen ndaj parlamentit shqiptar për rezolutën e 7 marsit në mbështetje të Ukrainës dhe luftës së saj kundër agresorit rus.
“Bashkia e Tiranës përgatiti bashkë me ne kamionin e parë të madh me ndihma humanitare për Kievin. Kemi pasur disa aktivitete të tjera që janë zhvilluar në Tiranë, ku përgatitëm bashkimin e qytetarëve shqiptarë dhe ukrainas për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen ndaj popullit tonë dhe luftën me agresorin rus. Shpresoj se pas mbarimit të luftës do të bëjmë më të mirën që të promovojnë marrëdhëniet tona”, tha ai.