Fëmijët palestinezë kanë filluar të shkruajnë nëpër kraharor emrat e tyre, me qëllim që trupat e tyre të mund të identifikohen në rast se vriten në sulmet ajrore.
Një video e shpërndarë në mediat sociale, shfaq një djalë më të rritur duke ua shkruar në kraharor shokëve të tij emrat në gjuhën arabe, transmeton Telegrafi.
Në videon e postuar nga agjencia turke e lajmeve TRT World, shihet njëri nga fëmijët duke thënë “jo, nuk dua të vdesë”.
Mjeku Abdul Rahman Al Masri kreu i departamentit të emergjencës në spitalin Al-Alqsa, tha për CNN se prindërit ishin të brengosur se mund të ndodhë gjithçka dhe askush nuk do të mund të identifikonte fëmijët e tyre.
Një koleg i Al Masri tha se “kanë vërejtur që shumë prindërit po u shkruajnë emrat e fëmijëve të tyre nëpër këmbë, me qëllim që të mund t’i identifikojnë në rast se ndodhë më e keqja”.
“Është një fenomen që ka filluar në Gazë”, shtoi mjeku Al Masri, i cili theksoi se shumica e fëmijëve që janë dërguar në spital me plagë të rënda, është e vështirë të identifikohen. /Telegrafi/