Telegrafi

Fëmijët në Maqedoni dijnë të lexojnë, por nuk e kuptojnë atë që kanë lexuar

Fëmijët e klasave të dyta dhe të treta në Maqedoni janë të shkathtë gjatë njohjes së shkronjave dhe leximit të fjalëve të lidhura, megjithatë kanë problem që mjaft rrjedhshëm t’i lexojnë tekstet në mënyrë që të përgjigjen saktë në pyetjet për kuptim, tregon studimi nacional për edukim gjuhësor dhe matematikor të fëmijëve zbatuar në kuadër të projektit të USAID-it me “Lexim drejt lidershipit” dhe shoqatës “Hap pas hapi”.

Hulumtimi është zbatuar në nivel nacional në maj të vitit 2016 në ekzemplar reprezentues prej 8.000 nxënësve të gjuhës mësimore maqedonase, shqipe dhe turke nga të gjitha shkollat fillore në Maqedoni.

Sipas Viktoria Dimitrovska, zv.udhëheqëse e projektit, kur bëhet fjalë për çështjen e kuptimit dhe tërhiqen fakte nga teksti, fëmijët e kanë më lehtë, megjithatë kur duhet të lidhin informacione nga pjesë të ndryshme të tekstit dhe të japin mendim të vetin, fëmijët tanë kanë problem.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, tha se qëllimi për t’u ngritur rejtingu i Maqedonisë në nivel të matjeve ndërkombëtare të shkallës së arsimimit mund të arrihet së bashku me Ministrinë, me mësimdhënësit, me prindërit, me nxënësit dhe me mbështetje të organizatave joqeveritare.

Deskoska theksoi se hulumtimi i bërë në 8.000 nxënës është për t’u përshëndetur, ndërkaq rezultatet do të merren parasysh./Telegrafi/