Site icon Telegrafi

Fëmija nuk i do lodrat? Mësojani këto dy lojëra nga fëmijëria juaj dhe e gjithë familja do të kënaqet nga lumturia

Në ditët e dimrit nuk është e thjeshtë të argëtosh fëmijën në shtëpi, posaçërisht nëse nuk është në një humor të mirë për shkak të ftohjes

Në momentet kur nuk i intereson dhoma plot me lodra, as vizatimi, ngjyrosja, plastelina dhe lojëra të ngjashme argëtuese, mbase do të ishte mirë që t’i rikujtojmë lojërat nga fëmijëria jonë.

Edhe pse nuk kishim gjithçka që kanë fëmijët e sotëm, kishim lojëra që u përcollën brez pas brezi dhe që gjithmonë i bënin fëmijët të buzëqeshnin. Ato janë gjithashtu të mrekullueshme për ‘të ndezur trurin e fëmijës’ dhe për të menduar për atë që po bëjnë.

Po ju rikujtojmë dy lojëra të cilat paksa janë harruar, ndërsa fëmijët me siguri do t’i kërkojnë që edhe nesër t’i lozni me të, transmeton Telegrafi.

Telefoni i shurdhër

Kjo lojë mund të luhet kudo që të jeni dhe kur ka më shumë prej jush. Uluni njëri pranë tjetrit, dhe personi i parë duhet t’i pëshpëritë ndonjë fjalë personit afër vetes. Personi i dytë po atë fjalë do t’ia transmetojë personit të tretë, i treti personit të katërt dhe kështu me radhë. Personi i fundit duhet të ngrihet dhe të thotë zëshëm fjalën të cilën e ka dëgjuar. Ndonëse duket e thjeshtë, do të krijojë shumë të qeshura, sepse zakonisht fjala të cilën personi i parë e ka pëshpëritur gjatë transmetimit tërësisht e ndryshon.

Nxehtë-ftohtë

Kjo është një lojë e cila më së shpeshti luhet në hapësirë të mbyllur. Luhet në atë mënyrë që një person fsheh ndonjë objekt, pastaj hyn personi tjetër dhe fillon ta kërkojë. Ai që ka fshehur objektin ka për detyrë të thotë ‘nxehtë’ nëse personi është afër objektit dhe ‘ftohtë’ nëse është larg. Fituesi e fsheh objektin më pas. /Telegrafi/

Exit mobile version