Telegrafi

“Fëmija ka vdekur!”: Bosnjë, 1993 – kur mjekët e OKB-së ia kthyen trupin e djalit të vdekur prindërve të tij

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale shihet momenti kur një fëmijë i vdekur i dorëzohet familjes së tij, ngjarje kjo, sipas përshkrimit të videos, ka ndodhur në vitin 1993.

Bëhet fjalë për pamje që tregojnë një copëz të vogël të gjithë asaj që ndodhi gjatë luftës në Bosnjë, përcjell Telegrafi.

“’Fëmija ka vdekur!’ Srebrenicë, Zonë e Sigurt e mbrojtur nga OKB-ja, 1993. Mjekët e OKB-së ua kthejnë trupin e djalit të vdekur prindërve të tij”, thuhet në përshkrimin e videos së publikuar nga mediumi Istraga.ba.

Këto pamje të dhimbshme janë rishpërndarë edhe nga Qamil Gjurakoviq (Ćamil Duraković) autor i librit “Srebrenica – një premtim i harruar” dhe ish-kryetari i Srebrenicës (2012 – 2016).

Ato vijnë në ditën kur bota kujton 11 korrikun e vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Lexo po ashtu Njëzet e shtatë vjet nga masakra e Srebrenicës - vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër. /Telegrafi/