Site icon Telegrafi

Federata Panshqiptare “Vatra” shënon 110 vjetorin e themelimit

Në një ceremoni organizuar për nder të këtij përvjetori kryetari i kësaj organziate, Elmi Berisha numëroi kauzat kryesore për të cilat është angazhuar kjo organizatë e vjetër shqiptare në SHBA, ndërsa u shpreh se angazhimi për çështjet shqiptare në Ballkan nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.

Në ceremoninë e mbajtur në qendrën kulturore shqiptare “Illyria” në Bronks të Nju Jorkut, i pranishëm ishte edhe Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta.

Ai foli mbi domosdoshmërinë e vazhdimit të misionit të “Vatrës” për të tejkaluar sfidat me të cilat përballen sot shqiptarët në rajon.

Para të pranishmëve foli edhe Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, aktivisti shqiptaro-amerikan Mark Gjonaj.

Ai bëri thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve, drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta.

Me rastin e 110 vjetorit të themelimit, Federata Panshqiptare “Vatra” organizoi edhe një konferencë shkencore ndërkombëtare gjatë së cilës studiues të njohur të botës akademike shqiptare paraqitën kumtesa mbi rolin e organizatës “Vatra”, themelimin e shtetit shqiptar e deri tek pavarësia e Kosovës./VOA

Exit mobile version