Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka pranuar të ketë bërë gabime lidhur me trajtimin e Mesut Ozilit që ndikoi në pensionimin e tij nga përfaqësuesja.
Mesfushori me origjinë turke, së bashku Ilkay Gundogan, nxitën reagime të shumta në Gjermani kur u takuan me Recep Tayyip Erdogan. Në prag të Kampionatit Botëror të vitit 2018, dy futbollistët ishin fotografuar në Londër me presidentin e Turqisë.
Asokohe, Gjermania u eliminua nga Rusia, ndërsa Ozil u bë shënjestër e kritikave të shumta dhe abuzimeve raciste, gjë që u shoqërua me pensionimin e tij, me ç’rast futbollisti i Arsenalit kishte shprehur indinjatën e tij për abuzimet raciste dhe mungesën e respektit për të.
Tash, sekretari gjeneral i DFB, Friedrich Curtis, ka pranuar se kanë bërë gabime në menaxhimin e çështjes dhe se neglizhuan të takoheshin me lojtarin për ta diskutuar situatën – transmeton Daily Mail.
“DFB bëri gabime në menaxhimin e gjërave përreth rastit të Ozil. Një fotografi u bë shpërthim për shumë tema. Në momentin kur pati aludime për racizëm, ne nuk ia dolëm të takoheshim me lojtarin”, ka thënë Curtis në një takim me të rinjtë në Fondacionin e Integrimit në Gjermani.
Pas kritikave dhe abuzimeve të shumta për shkak të fotografisë me Erdogan, futbollisti i dha lamtumirë kombëtares së Gjermanisë duke publikuar një letër që vinte në pah ndjenjat e tij ndaj racizmit dhe mosrespektit të shprehur kundrejt futbollistit. /Telegrafi/