Kryetari i Rezervës Federale në Shtetet e Bashkuara, Jerome Powell, i dha investitorëve një dozë optimizmi këtë javë, duke thënë se norma bazë e interesit është pranë nivelit neutral, nivel që nuk jep ndikim në ekonominë e vendit.
Shumë investitorë e interpretuan deklaratën si një sinjal që banka po nis të përfundojë ciklin tkurrës monetar. Tregu i aksioneve dhe yield-i i titujve të borxhit pësuan rritje në tregtinë amerikane, pavarësisht se ekonomistët nuk e kuptuan mirë mesazhin e guvernatorit. Sipas tyre, komentet bëjnë kontradiktë me deklaratën e para një muaji, ku Jerome Powell tha se norma bazë e interesit është larg nivelit neutral.
“Normat e interesit janë ende të ulëta krahasuar me historikun, dhe qëndrojnë pranë nivelit që do të jetë neutral për ekonominë, nivel që nuk përshpejton as ngadalëson rritjen ekonomike. Kolegët e mi dhe unë, si dhe shumë ekonomistë të sektorit privat, projektojnë rritje të qëndrueshme ekonomike, papunësi të ulët dhe inflacionin pranë objektivit prej 2%”, tha Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale
Ndryshimi në komunikim nga guvernatori, vjen pas sulmeve të presidentit Donald Trump, që kritikoi bankën qendrore se po ndërhyn te politikat e tij ekonomike dhe tregtare duke rritur normat e interesit. Trump tha gjatë kësaj jave për Uashington Post se nuk është fare i lumtur me shefin e Rezervës Federale. Banka pritet të rrisë për herë të katërt normën bazë të interesit në dhjetor. Megjithatë, luhatjet e mëdha në tregun e aksioneve kanë zbehur perspektivën e Bankës Qendrore.
“Ne e dimë se rezultatet zakonisht dalin kundra edhe ndaj projeksionit më të kujdesshëm. Për rrjedhojë, politikëbërja përfshin gjithashtu menaxhimin e rreziqeve. Rritja graduale e normave të interesit ka qenë një ushtrim në balancimin e rreziqeve.”
Norma bazë e interesit qëndron në segmentin 2-2.25%, që është 0.25% poshtë nivelit neutral të Rezervës Federale. Ndërkohë që ndërhyrja e muajit dhjetor pritet gjerësisht, rrugëtimi i bankës për vitin e ardhshëm është i paqartë. /Telegrafi/