Sipërmarrës të njohur pejan, dashamirë të sportit, njerëz nga profile dhe profesione të ndryshme, janë bashkuar për të themeluar klubin Besa e Pejës.
Me një logo të re ky klub kërkon të jetë pasues i klubit të dikurshëm me nam, ‘KF ‘Besa’, klub me traditë 100 vjeçare në futboll.
‘FC BESA PEJA” do të quhet Klubi i ri futbollistik i Pejës, i cili po themelohet këto ditë, në 100 vjetorin e futbollit pejan të regjistruar.
Këshilli iniciues, me sot ka hedhur edhe hapin e parë të përbashkët, e që është komunikata me lajmin për themelim, ku edhe tregohet arsyeja dhe qëllimi.
“Duke parë zhvillimet në futbollin pejan, niveli i të cilit është më i dobëti në 100 vitëshin e fundit prejse është themeluar klubi i parë pejan me 1923, ka lindur ideja e themelimit të një klubi të ri futbollistik në qytetin tonë”.
“Qëllimi i kësaj iniciative është ngritja dhe avancimi i futbollit në qytetin tonë, duke angazhuar rininë tonë të shëndoshë dhe gjithë komunitetin Pejan për të ngjallur dhe rikthyer frymën sportive që ka munguar në stadiumin “Shahin Haxhiislami” për një kohë të gjatë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e parë zyrtare të klubit.
Iniciativa është parë me entuziazëm nga opinioni publik pejan dhe ai në mërgatë, ndërsa janë të bindur se gjatë do ecin për së mbari dhe Pejës do ti kthehet nami i dikurshëm futbollistik, por shumë i munguar në 10 vitet e fundit.
Besa ka qenë kampion i Kosovës tri herë paslufte, ndërsa ka fituar edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës.
Përmes këtij klubi kanë kaluar shumë emra të mëdhenj të futbollit pejan. /Telegrafi/