Ndonëse hetimet ndaj Naser Pajazitaj, si i dyshuari kryesor për vrasjen e Donjeta Pajazitaj kanë pushuar, Prokuroria e Pejës ka bërë një hap tjetër drejt zbardhjes së vrasjes së Donjetës. Organi i akuzës një pjesë të materialeve të video-incizimeve i ka nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më saktësisht në FBI për t’i ekzaminuar ato. Për këtë është informuar edhe familja e Donjeta Pajazitajt.
Rasti i vrasjes së Donjeta Pajazitaj ka mundësi të mëdha që të rikthehet për hetim e gjykim, meqenëse organet e drejtësisë po kërkojnë të gjejnë vrasësin e saj.
Prokuroria Themelore e Pejës së fundmi një pjesë të video-incizimeve i ka nisur drejtë Amerikës, përkatësisht atë material e ka dorëzuar te FBI.
E kjo ka qenë e mundur pas bashkëpunimit që ka kjo prokurori me Ambasadën e ShBA-së në Kosovë.
“Njërën nga provat kryesore të kësaj çështjeje penale përmes Ambasadës Amerikës e ka dërguar në FBI që të kryhet ky ekzaminim”, ka deklaruar Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Për këtë çështje janë njoftuar edhe familjarët e Donjeta Pajazitaj, të cilët shpresën nuk e kanë shumë të madhe te sistemi i drejtësisë në Kosovë e sidomos tek ai prokurorial.
“Dyshimet më të mëdha mundet me kon se prokuroria mundet me qenë e njëanshme jo e drejtë në këtë vendim. Mundet me qenë e rëndë për të, por mundet me qenë ose e shitur ose e kërcënuar”, tha Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i së ndjerës, Donjeta Pajazitaj.
Ndërkohë, sipas zëdhënësit të Prokurorisë në Pejë, pavarësisht që ndaj Naser Pajazitaj kanë pushuar hetimet, nuk do të thotë që ndaj tij nuk mund të ketë hetim të ri.
“Nga provat materiale sipas Supremes nuk është vërtetuar se ky person e ka kryer këtë vepër penale, mirëpo për ne kjo nuk do të thotë se nuk e ka kryer ky person. Siç ju thashë, njëra nga provat kryesore të kësaj çështjeje penale përmes Ambasadës së Amerikës e ka dërguar në FBI që të kryhet ekzaminimi i provës materiale. Posa të vijnë rezultatet, do të merren edhe veprimet”, ka theksuar Nikçi, për RTV Dukagjini.
Donjeta Pajazitaj është vrarë në nëntor të 2015, e trupi i saj ishte gjetur pas gjashtë javësh në Bjeshkët e fshatit Strellc në Deçan. /Dukagjini/