Gazeta gjermane ”Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) shkraun se kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, bën diçka që nuk ka ndodhur në rajon që nga rënia e Millosheviqit në Serbi, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Për FAZ-në, kryetari Gjorge Ivanov nuk e njeh rezultatin zgjedhor.
”Ajo çfarë, tani për tani, ndodhë në Maqedoni, në rajon nuk ka ndodhur që nga rënia e kriminelit serb Sllobodan Millosheviq më 2000: një shef shteti hapur kundërshton ta njeh rezultatin zgjedhor”, shkruan FAZ.
Për këtë gazetë, OBRM-PDUKM-ja është një parti e djathë populiste që e mbështeti fuqishëm Ivanovin për të ardhur në krye të Maqedonisë, ndërkaq vlerëson se Deklarata politike shqiptare është shpresa e fundit e kësaj partie për ta mbajtur pushtetin, përcjell Telegrafi Maqedoni.
”Për Gruevskin dhe partinë e tij, katalogu me kërkesa shqiptare është shpresa e fundit për ruajtjen e pushtetit”, vlerëson FAZ-ja.
FAZ e përfshinë në këtë analizë edhe deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që thotë se platforma nuk përmban kushte, por vizion, duke shtuar se ”në Tiranë vetëm është diskutuar për të”.
”Unë kam ndërmjetësuar mes partive shqiptare në Maqedoni, për shkak se, më parë, ata nuk flisnin mes vete”, ka deklaruar Rama për FAZ-në. Më tej, Edi Rama ka deklaruar se shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet por entitet konstituiv i shtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
”Shqiptarët në Maqedoni janë entitet konstituiv, e jo pakicë. Maqedonia është shtet që është formuar nga dy subjekte të barabarata, maqedonasit dhe shqiptarët. … Nëse nuk zbatohet Marrëveshja e Ohrit, rrezikojmë që të eskalojë gjithçka. Bëhet fjalë për këtë, që të pengohet një fund katastrofal”, ka deklaruar Edi Rama./Telegrafi/