Site icon Telegrafi

Faton Bislimi: Zgjedhjet në SHBA do të përcaktojnë shumë zhvillime edhe në Kosovë

Faton Bislimi në intervistë për Telegrafin/ Foto: Ridvan Slivova

Faton Bislimi, ish-deputet i LDK-së që aktualisht jeton e vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka folur për ndikimin që zgjedhjet presidenciale të SHBA-së mund të kenë në të ardhmen e Kosovës dhe në marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-SHBA.

Në një intervistë për emisionin “Përballje” në Telegrafi.com, Bislimi theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 4 nëntorit në SHBA, duke theksuar se rezultati do të ketë ndikojë edhe në Kosovë.

“Kushdo që arrin të fitojë mandatin në Shtëpinë e Bardhë, do të përcaktojë shumë zhvillime jo vetëm për Kosovën, po globalisht. Dhe aty ajo do të varet më shumë nga ne se sa nga përcaktimi i shefit të Shtëpisë së Bardhë”.

Bislimi vuri në dukje se Amerika përballet me një përplasje midis dy koncepteve qeverisëse: Ish-presidenti Trump, i cili përfaqëson një version të transformuar të republikanizmit dhe vazhdimësia e qeverisjes demokrate me Kamala Harris.

Ai theksoi se, pavarësisht se kush do të zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë, Kosova duhet të vazhdojë forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në, marrëdhënie që janë ndërtuar mbi bazën e lobimit të fuqishëm nga diaspora shqiptare.

“Ne duhet të kemi parasysh që në gjithë trajektoren e marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne e kemi pas fatin e madh që e kemi arrit si rezultat i punës së jashtëzakonshme, vetëmohuese, sakrifikuese të diasporës sonë në SHBA, të lobit tonë atje, i cili ka arritë që kauzën e Kosovës ta ndërtojë si kauzë bipartizane, si kauzë e të dyja taborëve qofshin demokratë, qofshin republikanë. Prandaj, është obligim i joni moral kombëtar shtetëror që ta vazhdojmë të njëjtin forcim të marrëdhënieve”.

Duke folur për politikën e jashtme amerikane, Bislimi nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së një marrëdhënie të qëndrueshme dhe bipartizane me SHBA-në, duke përmendur se shumë nga fitoret më të mëdha të Kosovës janë arritur përmes Kongresit amerikan.

“Ne i kemi ndonjëherë, nuk po du me thonë keqkuptime, po po them disa moskuptime të mënyrës se si përcaktohet politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.

Ai gjithashtu bëri thirrje për një qasje të matur dhe të përgjegjshme të Qeverisë së Kosovës në raport me këshillat dhe sugjerimet e SHBA-së, duke u fokusuar në interesat afatgjata të shtetësisë së Kosovës.

Bislimi vuri në dukje se “ledhatimi” i Serbisë nga perëndimi, përfshirë SHBA-në, mund të duket i padrejtë për Kosovën, por synimi i madh është shkëputja e Serbisë nga ndikimi rus.

Sipas tij, problemi kryesor në rajon mbetet Serbia dhe, për të parandaluar trazirat në Ballkan, është e nevojshme një qasje e tillë nga bashkësia ndërkombëtare.

Në përfundim, Bislimi kujtoi rëndësinë historike të besimit të Kosovës te SHBA-të, duke theksuar se Republika e Kosovës është një entitet i përhershëm dhe jo një projekt i kthyeshëm./Telegrafi/

Exit mobile version