I relaksuar, plotë humor dhe me thjeshtësinë e një njeriu që edhe pse ka qenë i pari i vendit për gati dy mandate, nuk e fsheh dashurinë që ka për njerëzit dhe vendin e tij në asnjë moment.
Është ky ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili bashkë me zonjën e tij, Nezafeten, rrëfejnë për jetën e tyre, që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme, ekskluzivisht për emisionin “E diela me Vesën”.
Në rrëfimet e tyre ekskluzive do ta kuptoni për herë të parë se si u njohën dhe si u martuan sipas traditave.
Sejdiu përballë Vesa Lumës rrëfen nesër në KTV nga ora 17:15, për dallimet e tij konceptuale me të parin e LDK-së, kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.
“LDK sot është e kundërt me vizionin dhe ideologjinë e Presidentit Ibrahim Rugova dhe si të tillë nuk e duam…LDK është kthyer në tezgë klientele”, thotë ndër të tjera Sejdiu, në “E diela me Vesën”.
Në pyetjen e Vesa Lumës; kujt i frikësoheni si politikan, Sejdiu tha se i frikësohet vetëm fytyrës së tij. “Dua ta ruaj atë që e kam ndërtuar me mund dhe të drejtë. Kam respekt për Zotin”, ka thënë ish presidenti Sejdiu, i cili në intervistën e nesërme rrëfen në detaje për momentet më interesante në jetën e tij profesionale dhe private.
Në emisionin e nesërm, tek këndi i fëmijëve do të jetë hit këngëtarja Jehona Sopi, me një mysafirë special. Ju mbetet që detajet t’i zbuloni nesër në KTV, ora 17:15. /KP/