Petrit Osmanit i kanë mbetur dy kujtime nga fëmijëria e tij sa ishte pjesë e Akademisë së Arsenalit – një foto e përbashkët me bashkëlojtarët dhe koha kur luante me Kieran Gibbs dhe Jack Wilshare.
Dy të fundit sot janë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Arsenalit, kurse Osmani është kthyer në Kosovë dhe po luan për Prishtinën, prej ku edhe kishte shkuar në Arsenal, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Kam qenë në prova gjashtë javë”, tregon Osmani.
E provat i kishte kaluar me sukses. Nënshkroi kontratë për një vit me mundësi vazhdimi edhe për tri vite tjera. Por, Osmani nuk arriti të fitojë vizë pune në Angli, meqë atëbotë siç thotë ishte nën moshën 18-vjeçare.
“Kjo ka qenë arsyeja pse nuk vazhdova tutje tek Arsenali”, thotë ai.