Ardhja në jetë e një foshnje përcillet me ngrohtësi, përkëdhelje, përqafime, dashuri dhe lot gëzimi.
Por, jo pak raste janë shënuar në Kosovë, kur në momentin e ardhjes në jetë të fëmijëve, prindërit nisur nga arsye të shumta, fatkeqësisht iu kanë kthyer shpinën atyre, duke i lënë krejt të vetëm, në dorën e fatit, duke i braktisur në dhomat e klinikave apo edhe diku nëpër vend të ndryshme, madje ka pasur raste edhe në mbeturina.
Kështu, kjo dukuri e braktisjes dhe arsyet që e shoqërojnë vazhdojnë të jenë ende fenomen shqetësues në shoqërinë tonë.
Sipas statistikave të marra nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2019 ishin evidentuar 48 raste të braktisjes së fëmijëve, ndërsa gjatë këtij viti janë evidentuar gjithsej 41 raste.
Ndërkaq, në Klinikën e Neonatologjisë që në kushte normale është mjedisi i parë me të cilin takohen të porsalindurit, që nga muaji janar janë braktisur 37 foshnje, prej të cilave aktualisht në këtë klinikë gjenden vetëm dy.
Drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci tregon për sa kohë u lejohet këtyre foshnjave të qëndrojnë aty pas lindjes dhe çfarë ndodh më pastaj.
“Në Klinikën e Neonatologjisë foshnjat e braktisura qëndrojnë 28 ditë, ku kryhen të gjitha ekzaminimet, mandej lirohen nga klinika. Foshnjat, pas qëndrimit në klinikë, në bashkëpunim me punëtorin social, kalojnë në përkujdesje të Departamentit të Mirëqenies Sociale, pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale’’, thotë Gojnovci.
Ai shton se numri i braktisjeve është i njëjtë si në vitet paraprake dhe se nuk ka ndonjë zvogëlim të numrit të foshnjave të braktisura, edhe përkundër thirrjeve për sensibilizim të opinionit.
“Mund të them se është një problem social që duhet të merren gjithë faktorët, që përfshijnë shumë mekanizma, të them shtetërore, duke pasur parasysh arsyet që çojnë deri te braktisja e foshnjave, mandej shumë profile të profesionistëve, psikolog, gjinekolog, neonatolog etj. Ne jemi munduar që sado pak të bëjmë sensibilizimin e opinionit për këtë problem social dhe roli i mediave në këtë drejtim është i pazëvendësueshëm (prandaj, ne ju falënderojmë juve për këtë bashkëpunim)”, thekson tutje drejtori i Neonatologjisë.
Drejtori i klinikës, tregon edhe për rastet e ribashkimit të foshnjave me familjen, që ata kanë arritur me i realizu si staf.
“Ka raste që fillimisht janë braktisur, por pas bisedave me punëtorin social dhe stafin tonë, fatmirësisht ka ardhur te bashkimi familjar i foshnjave, vetëm këtë vit janë 18 foshnje që kanë marrë nën përkujdesje prindërit”, shtoi ai.
Gojnovci përmend disa nga shkaqet më të shpeshta që çojnë në braktisjen e fëmijës, si: raportet familjare, shkurorëzimet, gjendja ekonomike, martesat e padëshiruara, fëmijë jashtëmartesor etj.
Në ndërkohë në vendin tonë e drejta për abort është e garantuar me ligj, deri në një fazë të caktuar. Një femër e moshës madhore mund të vendos vet për ndërprerjen e shtatzënisë deri në javën e 10-të, kurse çdo ndërprerje e shtatzënisë pas kësaj kohe duhet të bëhet me Komision shëndetësor profesional.
Në anën tjetër, janë SOS Fshatrat e Fëmijëve, hapësira këto të themeluara për të ofruar një shtëpi dhe familje për fëmijët të cilët kanë humbur kujdesin prindëror, duke u siguruar që fëmijët të rriten me dashuri dhe respekt.
Sipas udhëheqësve të SOS Fshatrave të Fëmijëve, aty aktualisht gjenden të strehuar 2 foshnje dhe 42 fëmijë nga mosha 3-18 vjeç.
“Fëmijët i kanë të gjitha kushtet që ju mundëson një mirëqenie të mirë. Ata kanë strehim të sigurt, ushqim, veshmbathje, edukim, përkujdesje 24 orë nga një kujdestar, qasje në shërbime psiko-pedagogjike, aftësim për punë, ndjekje e kurseve dhe trajnimeve profesionale, realizim të projekteve të ndryshme, etj’’, tregon Besnik Peci, udhëheqës i kujdesit alternativ në SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë.
Ndër të tjera, ai shton se fëmijët jetojnë brenda SOS Fshatit deri në moshën 18 vjeçare.
“Pas moshës 18 vjeçare ata kalojnë në një program tjetër që quhet Programi i Gjysmë-Pavarësimit. Fëmijët largohen fizikisht nga SOS Familja mirëpo edhe për tre vite të tjera mbështeten nga SOS Fshati, nëpërmjet këtij programi deri në pavarësimin e plotë të tyre. Vazhdimisht i përkrahim me shërbime psiko-sociale dhe mjekësore”, shpjegon tutje ai.
Ndërsa, sa i përket numrit të të strehuarve gjatë këtij viti, ai thotë se kanë pasur më pak kërkesa e pranime sesa vitet e kaluara. Sipas tij, interesimi i familjeve për adaptimin e fëmijëve duket të jetë i madh.
“Çështjet e adoptimit i kryejnë Qendrat për Punë Sociale. Ne vetëm i përgatisim fëmijët në krijimin e një lidhje sa më të mirë me prindërit adoptues, mirëpo në bazë të kërkesave për adoptim që vijnë tek ne nga prindër të cilët nuk e dinë si shkojnë procedurat e adoptimit, vërehet një numër mjaft i madh i kërkesave për adoptim”, tregon Peci.
E, në anën tjetër sa i përket strehimit, dashurisë dhe kujdesit që një nënë jo-biologjike mund ta ofrojë për fëmijët, shembullin më të mirë mund ta gjejmë tek rasti i Fatmire Musilu dhe shumë nënave/grave të tjera që veprojnë si ajo.
Musliu, ani pse nënë e dy fëmijëve biologjikë, tash e tre vite merr foshnje/fëmijë për përkujdesje. Ajo tregon se ka qenë shumë e lumtur në momentin që ka mësuar për familjet strehuese dhe kur është licencuar për këtë veprimtari/mundësi.
“Pasi mora miratimin edhe prej burrit dhe fëmijëve të mi, vendosëm me strehu fëmijë. Kemi nxjerr krejt dokumentet e kërkuara; nga mjeku, psikologu, dokumente këto që dëshmojnë se jemi familje e shëndoshë dhe pa probleme. I kemi dërguar në Qendrën për Punë Sociale, pastaj ata i kanë dorëzu në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kjo e fundit na ka pranu dhe na ka dhënë licencën…”, tregon Musliu.
Ajo deri më sot u kishte ofruar ngrohtësinë e nënës dhe familjes tre foshnjave që kishin nevojë, të cilat i kishte marrë të moshave të ndryshme nga Klinika dhe SOS Fshatrat.
“Fëmijën e parë e kam marr nga SOS Fshatrat, i cili pas një kohe është ribashku me nënën biologjike. Tani kam dy fëmijë në strehim, një vajzë 7 muajshe dhe një djalë 1 vjet e 7 muaj, të cilët i kam nën përkujdesje deri sa t’iu zgjidhet statusi, pra ose i merr familja biologjike ose shkojnë në adaptim varet prej lëndës’’, tha ajo.
Madje, ndarja pas një kohe me fëmijën e parë kishte qenë mjaftë e vështirë për të dhe gjithë familjen.
“Unë e kam mbajt 10 muaj, pastaj e ka marrë nëna biologjike, por ne u lidhem shumë me të dhe për pak kohë u ba si me kanë i joni. Na mungon shumë mua, bashkëshortit dhe fëmijëve. Edhe sot kam kontakte me nënën e tij, ai është shumë mirë dhe ajo e ka marrë në gjendje shumë të mirë”, tregon nëna strehuese.
Ajo shprehet se javët e para të strehimit nuk ishin fare të lehta për të dhe fëmijët. Por se me kalimin e kohës dhe me përkujdesjen e vazhdueshme ia ka arrit qëllimit që t’ju krijoj atyre një mjedis të ngrohtë familjar.
Musliu tregon se përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe, por që me dashurinë që ka për këta fëmijë, arrin t’i përballoj të gjitha dhe të bëjë më të mirën për ta.
Përkundër mbështetjes dhe përkrahjes nga familja, ajo thotë se është përballur me mjaftë paragjykime nga rrethi i gjerë për hapin që kishte marrë. Por, që nuk kishin ndikuar aspak tek ajo.
“E kam qëllimin e mirë, për me ba mirë, me ju ndihmu këtyre fëmijëve, me qenë si nanë për ta dhe e ndjej që më ndihmon edhe Zoti”, shprehet Musliu.
Në anën tjetër për përkujdesje të fëmijëve merr përkrahje financiare edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komunës, prej të cilës vjen njëri fëmijë.
“Prej Ministrisë së Shëndetësisë për një fëmijë paguhem çdo muaj nga 250 euro, pastaj edhe njëra komunë prej nga vjen fëmija i shton 150 euro. Dhe kjo llogaritet si rrogë që shteti na paguan neve. Madje prej kësaj komune dërgojnë edhe psikolog të cilët vinë rregullisht dhe na vizitojnë”, tregon tutje ajo.
Musliu ndër tjerash ka një thirrje për familjet që braktisin fëmijët dhe për familjet strehuese.
“Me u përkujdes për këta fëmijë ju kisha thanë secilit që ka mundësi dhe shpirt të nanës. Merre një fëmijë dhe përkujdesu se ki me ba një vepër të mirë dhe humane. E ata që i braktisin ju kisha lutë me çdo kusht dhe në çdo rrethanë le të mendojnë dy herë. Pasi që në momentin që e braktisë në spital, t’i po e vranë atë. Ju kisha lut secilës mos e braktis fëmijën tënd, në thera jeto me fëmijën tënd dhe mos e braktis”, thekson nëna strehuese.
Po ashtu edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale tregojnë se për të gjitha format e strehimit familjar, kjo ministri bën kompensim material në emër të fëmijëve, për familjet strehuese, përgjatë periudhës së qëndrimit të fëmijëve në përkujdesje e strehim të familjeve strehuese.
Magbule Koci, zyrtare e lartë për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur sqaron se kërkesat për adaptim edhe këtë vit janë të mëdha.
“Në bazë të regjistrit gjeneral të familjeve të mundshme në pritje, janë rreth 130-150 familje të mundshme adoptuese aktive e në pritje”, tregon ajo.
Koci thotë se gjatë vitit të kaluar janë shqyrtuar 17 kërkesa, 15 prej tyre për adoptim vendor dhe 2 për adoptim jashtë vendit. Ndërsa, sa i përket periudhës nëntëmujore të vitit 2020 janë aprovuar 8 kërkesa për adoptim.
Adoptimi paraqet formën e mbrojtjes së përhershme për fëmijët pa kujdes prindëror e të braktisur, në rastet kur kthimi apo kujdesi në familjet e tyre biologjike është i pamundur.
Përmes formës së adoptimit fëmijës i ofrohet një familje e përhershme ligjore me të njëjtat të drejta dhe detyrime që ekzistojnë mes prindërve dhe fëmijëve biologjik.
“Pritja e familjeve adoptuese, që nga momenti i aplikimit deri tek propozimi i fëmijës për adoptim, varion afërsisht nga 3-5 vite’’, sqaron tutje zyrtarja e lartë.
Koci gjithashtu thekson se ka pasur raste kur prindërit biologjik kanë kërkuar të marrin fëmijën në përkujdesje dhe se Qendra për Punë Sociale punon vazhdimisht për të parandaluar braktisjen e fëmijës.
“Bashkimi familjar realizohet përmes aktiviteteve të cilat i ndërmerr Qendra për Punë Sociale kompetente për fëmijën, në drejtim të përmirësimit të rrethanave familjare dhe krijimit të kushteve për rikthimin e fëmijës në familjen biologjike, gjithmonë nëse kjo është mundur dhe vlerësohet në interesin më të mirë për fëmijën”, tregon ajo.
Format themelore të mbrojtjes juridike, janë: kujdestaria, strehimi familjar, strehimi rezidencial dhe adoptimi. /Vlerë Mehmeti/
Ky publikim është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e Debate Center dhe Telegrafi.com dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ./Telegrafi/