Telegrafi

Fat i njëjtë për Ribery dhe Lewandowski: Të dy fituan çmimin e UEFA-s pas tripletës me Bayernin, por jo edhe Topin e Artë

(Foto: uefa.com)

Robert Lewandowski është shpallur lojtari më i mirë në Evropë për sezonin 2019/2020, në ceremoninë e UEFA-s të zhvilluar të enjten në Gjenevë të Zvicrës.

Ky vlerësim individual i sulmuesit polak erdhi pas tripletës së fituar me Bayern Munichun – Bundesliga, Liga e Kampionëve dhe DFB Pokal, ndërsa së fundmi e kompletuan vitin e jashtëzakonshëm edhe me Superligën e Evropës dhe Superligën e Gjermanisë.

Mirëpo, për fatin e keq të Lewandowskit, organizatori i Topit të Artë, Group L’Equipe – pronë e të cilit është France Football – ka vendosur të mos e ndajë çmimin prestigjioz individual për vitin 2020.

(Foto: uefa.com)
Lexo po ashtu Topi i Artë nuk do të jepet për vitin 2020

Kjo, sipas tyre, për shkak se pandemia e COVID-19, pezullimi i futbollit dhe pamundësia e zhvillimit të një edicioni normal, i ka shtyrë që ta anulojnë ndarjen e çmimit për këtë vit.

Situata e këtillë të kujton sezonin 2012/2013, kur Franck Ribery ishte shpallur lojtari më i mirë i vitit nga UEFA, duke qenë se asokohe edhe ikona franceze e kishte fituar tripletën me Bayernin.

(Foto: uefa.com)

Mirëpo, në ceremoninë pasuese të ndarjes së Topit të Artë, ai mbeti i treti në renditje dhe çmimin prestigjioz individual e fitoi Cristiano Ronaldo. I dyti në listë ishte Lionel Messi.

Lexo po ashtu Tifozët mendojnë se Lewandowski është 'plaçkitur' për Topin e Artë që nuk jepet këtë vit

Tifozët e futbollit kanë reaguar në rrjetet sociale, pasi konsiderojnë se Lewandowski e ka merituar ta fitonte Topin e Artë këtë sezon. /Telegrafi/