Telegrafi

FASK organizon trajnim për marshallët e garave

Federata e Auto Sportit e Kosovës është duke punuar me shumë përkushtim, jo vetëm në organizimin e garave, por edhe në përgatitjen sa më të mirë të stafit të saj, në mënyrë që në vazhdim të kampionatit të ngritet edhe cilësia e organizimit.

Në këtë vazhdë, FASK-u ka planifikuar që me 27 qershor të mbajë një trajnim për marshallët e garës, por edhe për stafin tjetër që ka të bëjë me mbarëvajtjen e kampionatit.

Për këtë arsye, në Prishtinë do të arrijë një delegacion prej katër anëtarësh nga Federata e Auto Sportit e Kroacisë, duke vazhduar në këtë mënyrë bashkëpunimi shumë i mirë ndërmjet dy federatave përkatëse.

Mysafirët nga Kroacia do të ligjërojnë në temën: “Marshallët e garave automobilistike dhe ata për garat në karting”. Ndërkaq, në orët e pasdites, marshallët e FASK-së do t’i nënshtrohen testimit.

Me 14 qershor një delegacion nga FASK ishte në Zagreb dhe atje pati përvojë shumë pozitive, derisa ardhja e delegacionit kroat që tashmë është konfirmuar, shënon një hap tjetër në vazhdën e bashkëpunimit. /Telegrafi/