Fushata e PDK-së në Podujevë, është transmetuar nga faqja zyrtare në Facebook e Kuvendit të Kosovës.
Për këtë ka reaguar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.
Përmes një shkrimi në Facebook ajo ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të ndërmerren masa urgjente në këtë drejtim.
“Sapo jam njoftuar se uebfaqja zyrtare e Kuvendit te Republikës së Kosovës në Facebook ka transmetuar aktivitetin partiak të Partisë Demokratike të Kosovës në Podujevë. Kjo përbën shkelje të autorizimeve zyrtare të personave përgjegjës që mirëmbajnë faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook”.
“Kam kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të ndërmerren masa urgjente ndaj kujtdo që ka keqpërdorur autorizimet zyrtare dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e institucioni të Kuvendit”, thuhet në reagimin e saj.