“Fansi kundër Artistit” është një prej shfaqjeve më të pëlqyera të iHeart Radio.
Kjo lojë argëtuese sjell në qendër të vëmendjes dy protagonistë: një artist të famshëm me fansin e tij më të zjarrtë.
Që të dy vihen para pyetjeve të ndryshme lidhur me artistin, dhe ai që merr më shumë përgjigje, ai e njeh më mirë personazhin e njohur.
E ftuara e radhës ka qenë artistja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, bashkë me fansen e saj të zjarrtë, Justine.
Ato filluan raundin me pyetjen e parë e cila ishte albumi i parë që Dua Lipa kishte blerë në jetën e saj, ku të dyja dhanë përgjigjen e saktë duke thënë “Whoa Nelly”.
Më pas ato qëlluan të sakta edhe përgjigjet se klipi “New Rules” ishte xhiruar në Miami, dhe se emri i Duas do të thotë “dashuri” në gjuhën shqipe.
Pyetja e fundit që i dha edhe fitoren fanses ishte se “çfarë kishte bërë Dua në iHeartRadio në prill të vitit 2017”, dhe përgjigjen e saktë e dha Justine duke thënë se artistja e saj e preferuar kishte lexuar disa “statuse të fansave në Twitter”.
Në momentin që kjo përgjigje u dha, Dua ngeli e habitur se si fansja e saj dinte kaq shumë në detaje për të.
Edhe prezantuesja e emisionit, i ka thënë në fund këngëtares shqiptare që fansja e njeh atë më mirë se ç’njeh ajo veten e saj. /Telegrafi/