Era Istrefi po korr një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, ku së fundmi ka shkëlqyer me performancën e saj në ceremoninë mbyllëse të Kampionatit Botëror në Rusi, duke na bërë të gjithëve krenarë.
Ajo arriti kulmin e suksesit të saj me projektin muzikor “Bonbon”, falë të cilit mori komente mjaft pozitive jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por edhe jashtë tyre, madje shumë njerëz e krahasonin me zërin e Rihannas apo të Sias.
Aktualisht Era po shijon suksesin e projektit të saj më të ri muzikor, “Prisoner”, i cili doli fillimisht në treg në muajin qershor vetëm në versionin audio, por vetëm një javë më parë, kjo këngë ka ardhur e shoqëruar me një video muzikore.
I xhiruar në Xhamajka, klipi i kësaj kënge që i përket muzikës ‘reggae’, është mjaft i veçantë, në të cilin Era është shfaqur në forma perfekte trupore dhe me mjaft stil.
Në këtë videoklip, 24-vjeçarja shfaqet pranë një “të burgosuri”, me të cilin është shumë e dashuruar dhe bën çdo gjë për të.
“Prisoner” është futur në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, gjashtë javë më parë dhe këtë javë është ngjitur me 16 pozicione, duke lënë kështu të nënkuptohet se videoja e ka risjellë sërish në vëmendje këngën e artistes.
Për këtë javë, “Prisoner” mban vendin e 63-të, kurse më poshtë mund ta dëgjoni këngën.