Familjet në pritje, institucionet tentojnë gjetjen e mbetjeve mortore
Ismail Jakupi
Familjarët e më shumë se 1,600 personave janë ende në pritje për të ditur fatin e tyre gjatë luftës së fundit në Kosovë. E janë imazhe te reja satelitore që ka siguruar Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit te Kuq që kanë bërë institucionet e vendit të fillojnë gërmime të reja në territorin e Serbisë.
Njëmbëdhjetë burra ishin marrë nga serbët në shtëpinë e Ferdonije Qerkezit, pesë nga ta ishin burri dhe katër djemtë e saj nga Gjakova.
Ajo nuk ka varrë ku ti vizitoj disa nga familjarët e sajë, por po shpreson që institucionet e vendit të punojnë më shumë në këtë aspekt.
“Po presim me bo dicka me shume, nuk eshte qe skane punu, kane punu por po presim me bo dicka me shume. Kështu që presim me punu hala me shumë që me i identifiku personat të cilët janë të zhdukur”, ka thënë Qerkezi.
E që numri i personave të zhdukur në Kosovë të zvogëlohet, gërmimet përsëri kanë filluar.
Janë Zyra e Kryeministrit të Kosovës të cilët kanë treguar se ditën e martë kanë filluar gërmimet vlerësuese në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.
“Gërmimet kanë filluar pasi në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit te Kuq janë siguruar imazhet satelitore, të cilat në ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim të saktësimit të lokacionit të mundshëm të varrezës masive”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë, Ahmet Grajqevci ka treguar që vazhdimisht po hasin në rezistencë për bashkëpunim nga ana e institucioneve të Serbisë.
“Gërmimet kanë filluar ani pse është dashur që kaherë të fillojnë por Serbia si zakonisht e neglizhon këtë proces ngadalë-ngadalë sepse kjo varresë është zbuluar bukur heret në bazë të dëshmitarëve dhe ne dyshojmë dhe është vend i dyshimit që aty është varrezë masive”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, në Kosovë janë rreth 13, 500 persona të vrarë gjatë luftës së fundit.Por janë mbi 1600 persona të cilët ende konsiderohen si të zhdukur./Portali D/