Familja Imeri nga Balinca e Vushtrrisë, dyshon se djali i tyre nuk ka kryer vetëvrasje në Burgun e Dubravës.
Herën e fundit që e pa vëllain, ishte 5 ditë para se ai të vdiste.
Por, të premten e kaluar, Familja Imeri nga fshati Balincë e Vushtrrisë, përmes një telefonate mori një lajm të kobshëm për ta.
Atyre ju bë me dije nga Shërbimi Korrektues se familjari i tyre Florim Imeri, kishte bërë vetëvrasje brenda qelisë së tij në Dubravë.
Kjo i kishte shokuar këtë familje.
Kjo pasi që sipas vëllait të Florim Imerit, Blerimit herën e fundit kur e vizituan në burg, ai ishte në gjendje shumë të mirë.
“Vëllai ka qene gjithçka ne rregull. Ka qene i qete, ka qene mire. Se fundmi kam qenë të dielën, mirë ka qenë. Tani me 6 na kanë thirrë prej Prishtinës, na thanë që Florimi është vetvrarë”, tha ai raporton T7.
Florim Imeri, po qëndronte në burg për shkak të përfshirjes në një incident dy vite më parë.
Ai kishte therur me thikë një person.
Ndërkohë, që tani familja po ngre dyshime mbi vetëvrasjen e Florim Imerit.
Këta besojnë se dikush ka dorë në vdekjen e familjarit të tyre.
“Nuk mendojmë që e ka mbyt veten, ndoshta ndonjë gardian apo polic”.
Madje Blerim Imeri, thotë se janë njoftuar, që pak kohë para se të vdiste Florimi, ai ishte rrahur nga një gardian i burgut.
“Ai kishte kërkuar me ia pru një kokërr të kresë, qysh e pam edhe në lajme, e ai nuk ja ka pru, po u hi e ka rreh shuplaka kresë, e pas pak kohe e ka varë vetën. Këta po thojnë, po na nuk besojmë”.
Televizioni për këtë rast ka pyetur edhe në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Drejtori i këtij institucioni, Nehat Thaçi, përmes telefonit ka thënë se deri me tani, SHKK ka suspenduar dy zyrtarë korrektues dhe kanë formuar Komisionin Hetimor për të hetuar rrethanat që çuan deri në vdekjen e 23 vjeçarit.