Site icon Telegrafi

Falsifikuesit bullgarë përdorën fotografinë e Sylverster Stallone si reklamë për dokumentet e rrejshme – kanë shtypur dollarë e euro

Autoritetet bullgare kanë shpartalluar një bandë të falsifikuesve që promovonin dokumentet e tyre “cilësore” ilegale dhe paratë – duke treguar pasaportën bullgare ku në fotografi shihet aktori amerikan Sylverster Stallone, shkruan Reuters.

Gjykatësit të premten kanë dënuar katër bullgarë të dyshuar që i përkasin zinxhirit të krimit të organizuar, duke bërë dhe shpërndarë dokumente të falsifikuara bullgare dhe dollarët dhe eurot e falsifikuara, transmeton Telegrafi.

Katërshja janë arrestuar pasi që pajisjet për shtypjen e dokumenteve dhe prodhimin e parave të falsifikuara, janë gjetur gjatë bastisjes së 30 lokacioneve në mbarë Bullgarinë në një operacion të përbashkët mes Europolit dhe Shërbimit Sekret amerikan.

Gjatë bastisjes në një apartament në jug të qytetit Plovdiv, policia ka konfiskuar sasi të mëdha të parave në euro dhe dollarë, si dhe letërnjoftime dhe patentë shoferë të falsifikuar bullgarë.

“Policët gjithashtu kanë konfiskuar edhe pasaportë bullgare me fotografinë e aktorit të njohur amerikan, që ishte përdorur si mostër për klientët për t’ju dëshmuar cilësinë e lartë të falsifikimit të tyre”, thuhet në kumtesën e gjykatës bullgare. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version