Site icon Telegrafi

Falsifikuan testet negative për COVID-19 në emër të një laboratori në Kosovë, zbulohen nga Ambasada Gjermane në Shkup

Në kohën kur filluar vaksinimi masiv në Kosovë kanë filluar edhe tentimet për të keqpërdorur rezultatet e testeve nga persona të ndryshëm, në anën tjetër shtetet evropiane janë duke vazhduar me kufizime sa i përket udhëtarëve nga Kosova, ku për çdo hyrje kërkojnë testin negativ PCR të bërë në 72 orët e fundit. Ndërkaq, së fundmi, disa shtete si Gjermania, Zvicra po kërkojnë nga turistët edhe dëshminë se janë vaksinuar kundër COVID-19.

E, përkundër masave që kanë shtetet në Evropë, kosovarët përgjatë kësaj kohe kanë vazhduar të bëjnë manipulime me testet për coronavirus. Ku për një test negativ të falsifikuar, qytetarët kanë paguar nga dhjetë euro e më shumë.

Mirëpo jo të gjitha testet e falsifikuara kanë kaluar pa u vërejtur nga autoritetet përkatëse. Së fundmi në Ambasadën e Gjermanisë në Shkup, janë paraqitur disa persona me teste negative të COVID-19, e që kanë pasur logo të një laboratorit të Kosovës.

Personat e papërgjegjshëm kanë shfrytëzuar edhe logon e labaratorit “Olive” në Prishtinë, duke krijuar kësisoj teste negative për coronavirus.

Pronari i laboratorit “Olive” në Prishtinë, Fatmir Sejdiu, në një deklaratë të dhënë për Telegrafin, ka thënë se tashmë rastin e kanë paraqitur në Polici.

“Ambasada gjermane në Shkup mbrëmë na ka kontaktuar dhe e kemi paraqitur si rast në Polici. Edhe rastet tjera kur kemi pas kur kanë falsifikuar i kemi paraqitur. Kërkojmë nga institucionet me ngrit padi ndaj këtyre personave për dëmin që kanë bërë. Po dëmtohet imazhi i Kosovës, në raport me ndërkombëtarët, ku shumica e institucioneve evropiane nuk t’i njohin testet për shkak të keqpërdorimeve që bëjnë individë të caktuar. Policia e Kosovës, institucionet duhet të ndërmarrin më shumë për zgjedhjen e kësaj problematike”, deklaroi ai.

Lexo po ashtu Falsifikonte teste të COVID-19 në emër të një laboratori në Prishtinë, arrestohet një person

Sejdiu kërkoi nga autoritet përkatëse që të bëjnë sa më shpejtë zgjidhje për këtë problem.

“Bëjë ftesë organeve kompetente që sa më shpejtë të zgjidhin këtë problematik, tash ka rënë numri i rasteve pozitive, por infektimi i njerëzve është i madh nëse bëjnë teste negative”.

Ndryshe, Kosova javëve të fundit ka shënuar rënie të rasteve me COVID-19, ku në 24 orët e fundit janë konfirmuar vetëm 3 raste të reja. Ndërkohë është duke vazhduar vaksinimi i qytetarëve, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 206.443 doza të vaksinës, kurse dozën e dytë e kanë marrë 49.616 qytetarë./Telegrafi/

Exit mobile version