Site icon Telegrafi

Falja e miliona eurove, LDK e çon në Kushtetuese kryeministrin Haradinaj

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese, kryeministrin Ramush Haradinaj për shkak të vendimit që ka marrë për faljen miliona eurove për ambalazhuesit e ujit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i kontaktuar nga Telegrafi ka thënë se me këtë vendim kryeministri Ramush Haradinaj e ka shkelur Kushtetutën.

“Kryeministri ka tejkaluar kompetencat kushtetuese kur ka nënshkruar vendimin për faljen e borxheve ndaj disa kompanive. Pra, Kryeministri ka shkelur Kushtetutën. Ai ka ndërhyrë në kompetenca të institucioneve tjera, në këtë rast të Kuvendit”, ka thënë Hoti.

Hoti ka theksuar se për këtë nismë kanë mbështetje edhe nga shumë deputetë tjerë, duke mos specifikuar se nga cilat subjekte vijnë nga deputetë.

Po ashtu Avdullah Hoti ka bërë të ditur se lënda do të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit të paraparë me ligj.

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur që ambalazhuesit e ujit në Kosovë të falen nga borxhet e tyre që u raportua të jenë mbi 50 milionë euro.

Por, vet kompanitë e ujit patën reaguar se bëhej fjalë për shumë më pak para të falura dhe jo aq sa ishte raportuar në fillim. /Telegrafi/

Exit mobile version