Telegrafi

Falja e borxheve shkakton probleme: Ujësjellësi i Prishtinës humb 22 milionë euro

Ligji për faljen e borxheve nga ana e Qeverisë për të gjitha shpenzimet, përfshirë rrymën, ujin, ngrohjen, pagesat për mbeturinat, obligimet e bizneseve dhe qytetarëve ndaj Administratës Tatimore, Doganave dhe pagesat e tatimit në pronë deri në fillim të vitit 2009, sigurisht që nuk mund të kalojnë pa dëme.

Vetëm Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, deri në këtë vit konsumatorët i kanë borxh 33 milionë e 140 mijë euro.

Por, nga ky vendim i Qeverisë, kjo kompani llogaritet të ketë dëme të konsiderueshme, vlera e së cilës kalon shumën prej 22 milionë eurove.

Drejtori ekzekutiv i këtij Ujësjellësi, Gjelosh Vataj, thotë se këtu llogaritet edhe një kredi në vlerë prej 20 milionë eurove të cilën e kanë marrë për ndërtimin e një fabrike të re, duke thënë se ata kanë menduar që kthimi i kësaj kredie të lidhet direkt me borxhet e vjetra.

Po ashtu, sipas tij, ata kanë një marrëveshje me konsumatorët për riprogramim të borxheve që arrin vlerën prej dy milionë euro dhe me këtë vendim ata do t’i humbin edhe këto para.

Por, kjo kompani, përveçse do të ketë dëme në para, ka filluar të ketë dëme edhe në inkasim.

Sipas Vatajt, nga deklarimi i Qeverisë se do të falen borxhet është krijuar një amulli pasi konsumatorët të cilët kanë borxhe të mëdha nuk po i lejojnë shkyçjet, ndërsa ata të cilët kanë qenë konsumatorë të rregullt po hezitojnë ta paguajnë borxhin e tanishëm.

Ai thotë se ata ende nuk kanë ndonjë vendim të qartë nga ana e Qeverisë dhe se, sipas tij, përderisa nuk do të ketë një vendim të tillë nuk do të ndalen së kërkuari borxhet. /KP/