Site icon Telegrafi

Falet namazi i Fitër Bajramit – kësaj here pa masa kufizuese dhe në atmosferë sikurse më parë

Pas 30 ditë agjërimi, myslimanët në mbarë botën sot festojnë Fitër Bajramin.

Qytetarë të shumtë janë parë mëngjesin e së hënës në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, për të falur namazin e Fitër Bajramit, ceremonia qendrore e së cilës u drejtua nga Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava.

Namazi i Fitër Bajramit është falur në orën 06:09 të mëngjesit.

Falja e namazit të Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë/Foto: Ridvan Slivova

Tërnava në mesazhin e Fitër Bajramit, tha se kjo festë si asnjë festë tjetër bashkon familjen, miqtë e farefisin ngase kjo është obligim.

“Festa e Fitër Bajramit për besimtarët është një ndër momentet më të gëzueshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë, ngase në vete ka mesazhe hyjnore që ofrojnë familjen, të afërmit, miqtë e farefisin. Po ashtu, kjo festë ka në vete mesazhin e gëzimit, hares e lumturisë, që nga fëmijët, të rinjtë e për të gjitha grup moshat të cilat kjo festë në formën më të mirë i ofron drejt vlerave e porosive hyjnorë, humane e sociale. Festa e Fitër Bajramit na bashkon në xhami, me ibadet, falje e lutje drejtuar krijuesit të gjithësisë. Na bashkon me familje, me farefisin, me miqësinë, me vizita të ndërsjella duke uruar dhe përgëzuar, si dhe duke kujtuar ata që kanë shkuar para nesh nga kjo dynja”, tha ai.

Gjithashtu, Tërnava tha se festa e Fiter Bajrami bart mesazhin më të mirë për kultivimin e dashurisë për pasardhësit tanë.

Lexo po ashtu Tërnava jep mesazhin e Fitër Bajramit: Lutemi që kudo në botë të mos ketë trazira, të mbretërojë paqja dhe mirëqenia për të gjithë

“E kultivon dashurinë respektin e nipërve e mbesave për gjyshërit dhe anasjelltas, e kultivon respektin dhe kujdesin e prindërve për fëmijët, kultivon mbështetjen e solidaritetin për ata që kanë nevojë. Po ashtu, Festa e Fitër Bajramit e bashkon komunitetin e duke nxitur e kultivuar ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancën, harmonisë, respektin e bujarinë, vlera këto që e fisnikërojnë individin e shoqërinë mbarë“, ka thënë Tërnava.

Falja e namazit të Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë/Foto: Ridvan Slivova

Tërnava shtoi se më shumë se kurrë na duhet unitet e solidaritet.

‘Tani së fundmi përveç konflikteve dhe luftërave, bota po përballet edhe me rritjen sociale që rrezikon shtresën e mesme ekonomike të popullatës”, tha myftiu./Telegrafi/

Exit mobile version