Site icon Telegrafi

Faik Konica për “fatin historik të shqiptarëve”

Nga: Ilir Ikonomi (pjesë nga libri: “Faik Konica: Jeta në Uashington”)

Siç e rrëfen vetë në shkrimet e tij, ky peizazh madhështor gjithnjë pat nxitur ëndrra të bukura te Faiku, djaloshi i menduar e i veçuar nga shokët. Ashtu si shumë shqiptarë me prejardhje nga viset ku kufijtë nisnin e mjegulloheshin, Faiku ishte rritur me dëshirën për ta ruajtur identitetin e vet me fanatizëm të rreptë.

Andej dhe këtej lumit Sarandapor ishin viset e banuara qëmoti nga shqiptarë me zakone të njëjta. Si andej, si këtej, shqiptari, kishte mbetur po ai që përshkruhej nga disa historianë të huaj si “më i vjetri i evropianëve” dhe “cubi i pavdekshëm, me një mendje fisnike”. E folura ishte po ajo, një toskërishte e shtruar dhe e ëmbël, me atë ë-në jugore të zgjatur plot përkëdheli që nuk e kishte askush tjetër; në të dy anët, vallet e shkathëta dhe këngët me të cilat ato shoqëroheshin, sa krenare po aq melankolike, nuk ishin prekur thuajse fare nga zullumi osman; veshjet piktoreske qenë një përrallë më vete si këtej edhe andej – në to mbizotëronte e bardha dhe e zeza, por as ngjyrat e tjera nuk mungonin; këtyre i duhej shtuar zakoni i pandreqshëm për t’i lënë mëngët të lëshuara prapa, ala shqiptarçe, siç kishte shkruar Edmund Spenseri, poeti i Mbretëreshës Elizabetë.

Pastaj, nga mesi i dhjetorit të vitit 1913, një komision ndërkombëtar kishte shënjuar përfundimisht kufirin jugor – një vijë e propozuar nga britanikët – që kalonte përgjatë Sarandaporit deri aty ku ai bashkohej me Vjosën. Kufiri vazhdonte më tej duke përfshirë brenda Shqipërisë Leskovikun, Gjirokastrën, Delvinën, Sarandën, Tepelenën, Përmetin, Korçën dhe Kepin e Stillos, ndërsa Konica i ishte lënë Greqisë. Pra punët qenë ngatërruar dhe ishte bërë gjithnjë e më e vështirë për të shpjeguar me fjalë të thjeshta e të kuptueshme se përse aq shumë njerëz që flisnin shqip jetonin në troje që tani quheshin Greqi. A ishin ata ndonjë pakicë etnike që kishte populluar ato fshatra krejt rastësisht ose e shtyrë nga kohët e vështira? Apo ishin ata argatë, si dhjetëra mijë grekët e Shqipërisë së jugut, që patën shkuar atje për të punuar tokat e bejlerëve shqiptarë? Pastaj, shqipja nuk flitej vetëm në Konicë por edhe në shumë vise të Epirit. Flitej sidomos në Çamëri, krahina e bukur bregdetare që shtrihej nga Konispoli deri në Prevezë, e cila gjithashtu i ishte lënë Greqisë.

Drama e ekzistencës shqiptare, rrudhja e së cilës qe bërë gjithnjë e më tragjike, ia shtonte Faikut vullnetin për ta mbrojtur atë çka mbetej nga trupi i asaj qenieje të dobët. Ky fat i trishtë me copëtime dhe gëlltitje territoresh, kishte qenë në të vërtetë haraçi që shqiptarët kishin paguar në shekuj për pasivitetin e tyre. Që në numrin e parë të revistës së tij Albania më 1896, Faiku pat shkruar se armiqtë e Shqipërisë nuk janë tjetërkush veçse vetë shqiptarët. “Ne i kemi shkruar me gjakun tonë mjaft faqe të historisë së Evropës, por me sa duket nuk duam të derdhim asnjë pikë për lirinë tonë… Për më tepër, ne punojmë për grekët, që na quajnë paloarvanitis (shqiptarë të ndyrë), si edhe për turqit, të cilët gjithashtu na quajnë pis-arnaut (shqiptarë pisa). Arsyeja për këtë ngathtësi të turpshme është se ne ende nuk e kemi zhvilluar frymën e pavarësisë. Prandaj pranojmë të mbetemi skllevër”.

Ndërkohë që shqiptarët u ishin nënshtruar osmanëve duke u trullosur nga madhështia e tyre perandorake, duke u huazuar fenë e duke flirtuar me gjuhën e tyre, gjatë dhjetëra viteve, fqinjët e shqiptarëve, grekët, serbët dhe malazezët, ishin fuqizuar. Në agimin e turbullt të shekullit 20, kur Perandoria turke ishte në agoni, shanset e Shqipërisë për të vdekur ishin më të mëdha se sa mundësia për të jetuar dhe aty, në zgrip të varrit, mëmën e kishte tërhequr mbrapsht një dorë magjike. Kishin qenë njerëz të cilëve u dhimbej kjo qenie e brishtë, njerëz atdhedashës si Faiku, që e kishin ruajtur Shqipërinë nga rrëzimi fatal, disa me pushkë, të tjerë me dituri. E tërë historia e shkëputjes së Shqipërisë nga Turqia kishte qenë si një ëndërr e keqe. Disa të rëna të thikës i kishin prerë asaj një copë mishi këtu e një tjetër aty dhe plagët ishin ende të hapura. Kjo e kaluar që u kishte sjellë kaq shumë trishtim, i kishte mësuar shqiptarët si Faiku t’i shikonin me përbuzje fqinjët dhe, sigurisht, këtu përfshiheshin grekët.

Nga maji i vitit 1940 Faiku kishte nisur të banonte në një apartament që kishte marrë me qira në kompleksin Hightowers të Uashingtonit veriperëndimor. Pallati tetëkatësh prej tulle ngjyrë bezhë në Rrugën 16, kishte në të djathtë kishën United Methodist me muret e saj prej guri të madh, ndërsa përballë qendrën e komunitetit hebre. Nga rruga ku ndodhej pallati, po të vështroje në drejtim të jugut, mund të shquaje pa vështirësi kolonat e Shtëpisë së Bardhë. Drejt veriut, rruga kishte në të dy krahët ndërtesa me një përzierje stilesh, nga periudha e Rilindjes italiane dhe e Mbretëreshës Anne e deri tek ajo e Arteve të Bukura, të cilat pasqyrojnë natyrën eklektike të arkitekturës amerikane. Me pak fjalë, banesa ndodhej në një vend mjaft të pëlqyer, ku Faiku mund të jetonte i qetë dhe të përqendrohej te librat e tij.

Në mes të korrikut 1940, kur Vatra mbajti në Boston kuvendin e zakonshëm, delegatët kërkuan që kryetar të zgjidhej Faiku, i cili pranoi, por me kusht që të qëndronte në Uashington. Dhe ashtu u bë. Në një letër që u dërgonte pak ditë më vonë vatranëve, Faiku zbulonte për habinë e të gjithëve, se ai kishte dashur që Vatra të mos ekzistonte më si organizatë. “Unë kam qenë i mendjes që shoqëria të mbyllet fare dhe këtë këshillë u dhashë shokëve në disa fjalime që bëmë me telefon. Arësyeja që më shtynte të jap atë këshillë qe se disa mijëra anëtarë të shoqërisë u kthyen me kohë në Shqipëri dhe ata të pakët që kanë mbetur këtu s’kanë fuqinë ta mbajnë shoqërinë siç duhet… Po shokët ishin të mendjes se edhe një dritë e vogël e mbajtur e ndezur këtu do të jetë për të mirën e Shqipërisë”. Pastaj Faiku i këshillonte vatranët të mos përdornin të sharat nëse dikush guxonte të hidhte një pikëpamje të re. Shkurt, këshillonte ai, “duhet të shfaqim me fjalë dhe me punë se jemi dhe mbetemi kombëtarë po jo armiq me sistem të çdo gjëje që bëhet në Shqipëri”. E thënë ndryshe, ai i paralajmëronte vatranët se së shpejti do të dilte me ide të reja dhe ata nuk kishte pse t’i hidheshin në grykë e ta sulmonin me të shara.

Kishte ditë që ai ishte ngulur në apartamentin e tij për t’i dhënë formën përfundimtare një eseje mbi fatin historik të shqiptarëve në Greqi. Rezultat i kësaj pune ishte një deklaratë e gjatë në anglisht prej nja dhjetë faqesh të daktilografuara dendur. Me këtë shkrim, ai mbante premtimin “për të qenë i dobishëm” që u kishte dhënë italianëve, të cilët përgatiteshin për mësymjen kundër Greqisë. Deklarata ishte në vetvete një studim historik interesant. Ajo titullohej The Background of the Italian-Greek Conflict (Sfondi i konfliktit italo-grek).

Faiku shpjegon që në krye se thirrjen për të shkruar këtë deklaratë ia kishte bërë një grup nacionalistësh shqiptarë dhe, meqenëse ai vetë kishte lindur në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, kishte vendosur të thyente heshtjen dhe t’i paraqiste publikut amerikan disa fakte, sipas tij lehtësisht të vërtetueshme, rreth shkaqeve thelbësore të konfliktit që po afronte. Në ato rreshta ai argumenton se rajoni që grekët e quajnë Epir, i cili gjatë pesë shekujve të sundimit turk formonte Vilajetin e Janinës, ka qenë gjithmonë shqiptar si gjuhë e si kombësi, madje sipas të dhënave që përmendte, edhe Korfuzi ka qenë i banuar në lashtësi nga ilirët. Faiku shtjellon pastaj se si filloi depërtimi grek në rajon dhe u jep sigurime lexuesve se faktet e tij bazohen në kronikat historike e aspak në ndonjë fantazi të propagandës italiane.

Pushtimi turk solli një ndryshim me rëndësi në jetën e Shqipërisë, shkruan Faiku. Një shumicë shqiptarësh u shkëputën nga feja e krishterë dhe u konvertuan në atë islame. Procesi zgjati dy shekuj derisa 65 për qind u bënë myslimanë dhe pjesa tjetër mbeti e krishterë. Grekët, shpjegon ai, gjetën rastin të shkombëtarizojnë shqiptarët duke përdorur kishën si mjet propagande. Një tjetër faktor, vazhdon Faiku, ishte imigracioni i fshehtë i njerëzve greqishtfolës, që shpesh favorizohej prej “budallallëkut” të pronarëve shqiptarë të tokave. Këta pronarë kishin nevojë për argatë për të zëvendësuar djemtë shqiptarë që kishin shkuar në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Grekët, argumenton Faiku, ndaluan çdo libër të shkruar në shqip, qofshin edhe ata më të padëmshmit si gramatika apo aritmetika.

Faiku përshkruan se ç’ndodhi pas luftërave ballkanike kur Turqia evropiane u shpërbë. Një ushtri e organizuar greke me njerëz të maskuar si civilë, shkruan ai, u vërsul në krejt Shqipërinë dhe filloi një seri djegiesh dhe vrasjesh në masë, të cilat dëshmohen edhe në librin Njëzet vjet ngatërresa ballkanike të Zonjës Mary Edith Durham. Pas Luftës Botërore, grekët i ndaluan shqiptarët të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vazhduan punën për zhdukjen e elementit shqiptar. Faiku përmend Çamërinë, ku siç thotë ai, rezistenca e patrembur u mbijetoi të gjitha vrasjeve të organizuara, mashtrimeve dhe plaçkitjeve. Deri në vitin 1913, popullsia e Çamërisë ishte 96 për qind shqiptare, por ky përpjesëtim tani është zvogëluar për shkak të akteve të dhunës, shkruan Faiku.

Exit mobile version