Partia Demokratike e Kosovës ka nominuar deputetin Fadil Nura kandidat për kryetar të ardhshëm të Skenderajt, pas pengimit që iu bë kryetarit të Degës, Sami Lushtaku.
PDK ka njoftuar se ka pranuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkesën për zëvendësimin e disa kandidatëve për Kuvende Komunale dhe për zëvendësimin e një kandidati për Kryetar Komune.
“PDK beson në shtetin e së drejtës dhe respekton vendimet e institucioneve të pavarura të shtetit, dhe përkundër kundërthënieve të Ligjit për Zgjedhje Lokale, brenda afatit të përcaktuar nga KQZ, i ka bërë të gjitha zëvendësimet e kërkuara. Në këto zgjedhje, z. Sami Lushtaku i është pamundësuar kandidatura për Kryetar të ardhshëm të Skënderajt”, thuhet në komunikatë.
Edhe pse po pengohet të garojë për Kryetar të Skënderajt, sipas komunikatës, Sami Lushtaku, me besimin e qytetarëve të Skenderajt, më 17 tetor, do të jetë pranë tyre në qeverisjen e re të PDK-së në këtë komunë.
“Ndërkohë, në pajtim me kërkesën e KQZ-së, Dega e PDK-së në Skënderaj ka miratuar unanimisht kandidaturën e deputetit Fadil Nura për Kryetar të ardhshëm të Skenderajt. Nga ana tjetër, z. Lushtaku do të vazhdojë betejën ligjore për të vënë në pah të drejtën e tij kushtetuese”, thuhet në fund.
Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës i ka vërtetuar dënimin për arratisjen nga “Burgu i Dubravës” ish kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Lushtaku ishte gjetur fajtor për arratisjen e 21 gushtit dhe 22 shtatorit të vitit 2015 nga Burgu i Dubravës, gjatë kohës kur po mbante dënimin prej 12 viteve për krime lufte në rastin “Drenica”.
Ai me vendimin e Gjykatës së Prishtinës në prillin e vitit 2020 ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë.
Sami Lushtaku është dënuar dy herë brenda tre viteve të fundit për dy vepra penale.
Dënimi i parë i marrë ndaj tij është bërë në prillin e vitit të kaluar ku u dënua me 12 mijë euro gjobë për arratisjen nga “Burgu i Dubravës”, ndërsa i fundit në tetor të vitit të kaluar për kanosjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj.
Të dy këto vendime janë bërë të plotfuqishme pasi janë vërtetuar nga instancat më të larta.
Për të parin ka vendosur edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e cila dënimin prej 12 mijë euro e konsideroj si të drejtë, përderisa dënimi i dytë prej 2 mijë euro gjobë për kanosjen e avokatit u vërtetua nga Gjykata e Apelit./Telegrafi.