Site icon Telegrafi

Facebook mund të gjobitet mbi 22 milionë dollarë për dështimin në mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve

Mark Zuckerberg, themelues i Facebook (Foto: Win McNamee/Getty Images/Guliver)

Rrjeti social Facebook mund të ndëshkohet me një gjobë rekorde për shkelje të një marrëveshjeje ligjore për të mbrojtur të dhënat personale dhe privatësinë e përdoruesve.

Dënimi, i caktuar përmes Komisionit Federal të Tregtisë (FTC), pritet të tejkalojë gjobën prej 22.5 milionë dollarë të imponuar ndaj kompanisë Google, në vitin 2012.

Google u godit me gjobë të madhe për anashkalimin e kontrolleve të privatësisë në aplikacionin Safari të drejtuar nga Apple, shkruan DailyMail, transmeton Telegrafi.

Dy burime të njohura me situatën i thanë ‘Washington Post’ se gjetjet e hetimeve të FTC-së dhe shuma e gjobës nuk janë finalizuar ende.

Një burim i tretë tha se komisionerët janë informuar për hetimin dhe një vendim do të merret së shpejti.

FTC filloi të hetojë Facebook-un pasi u zbulua se “Cambridge Analytica” kishte marrë informacion nga më shumë se 87 milionë përdorues.

Në vitin 2011, Facebook arriti një zgjidhje me FTC-në pasi u zbulua se kompania kishte shfrytëzuar në mënyrë të përsëritur të dhënat e përdoruesve. Agjencia po përpiqet të shohë nëse kjo zgjidhje është keqpërdorur me shkeljen e fundit.

“Agjencia tani ka autoritetin ligjor, provat dhe mbështetjen publike për të vepruar. Nuk mund të ketë justifikim për vonesa të mëtejshme”, tha Marc Rotenberg, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Informacionit të Privatësisë Elektronike.

Mark Zuckerberg, themelues i Facebook (Foto: Chip Somodevilla/Getty Images/Guliver)

Sipas kushteve të marrëveshjes, Facebook duhej të merrte lejen e përdoruesve përpara se të ndante të dhënat me palët e treta, që ndryshojnë nga cilësimet aktuale të privatësisë.

Gjithashtu kërkoi që Facebook të informonte FTC-në nëse dikush po keqpërdorte informacionin.

Nëse Facebook dënohet, do të ishte ndëshkimi më i keq i miratuar kundër gjigantit të teknologjisë për trajtimin e tmerrshëm të të dhënave të përdoruesve.

U.K. ia dorëzoi Facebook-ut një gjobë prej 640,000 dollarësh dhe përveç kësaj, avokati i përgjithshëm i Uashingtonit D.C. shpreson të nisë një padi masive kundër kompanisë në fjalë. /Telegrafi/

Exit mobile version