Sipas raportimeve të fundit, Real Maridi e ka bërë yllin e Arsenalit, William Saliba objektivin e tyre kryesor për verën e ardhshme.
Me Antonio Rudiger dhe David Alaba që po futen në vitin e tyre të fundit të kontratës dhe me këtë të fundit që ka mbetur jashtë fushave shkaku i një lëndimi të rëndë, drejtuesit e klubit po monitorojnë tregun për ta përforcuar mbrojtjen.
Për më shumë, qendërmbrojtësi i akademisë Joan Martinez, është po ashtu jashtë fushave për një lëndim të ngjashëm si të austriakut.
Në mesin e lojtarëve që po vëzhgohen, Saliba ka dalë si kandidati kryesor për madrilenët me raportimet që bëjnë me dije se gjiganti spanjoll tashmë ka nisur kontaktet me përfaqësuesit e francezit.
Përkundër thashethemeve në rritje për një transferim të mundshëm, Fabrizio Romano ka qartësuar se nuk ka pasur kontakt direkt mes Real Madridit dhe përfaqësuesve të Salibas.
“Një storie e cila po rritet për momentin është William Saliba dhe largimi i mundshëm nga Arsenali. Gjatë javëve të fundit kemi dëgjuar disa herë për Real Madridin dhe Paris Saint-Germainin, por unë sinqerisht mund të them se nuk kam ndonjë konfirmim për këtë, përfshirë raportimin se Real Madridi ka kontaktuar përfaqësuesit e Salibas”, ka thënë Romano.
“Nuk jam në dijeni për diçka konkrete në këtë fazë, gjithçka që di është se Saliba është tërësisht i fokusuar tek Arsenali, ndërsa Arsenali natyrisht e konsideron Saliban si pjesë kyçe të projektit, asgjë më shumë”.
“Real Madridi po eksploron tregun e qendërmbrojtësve që prej rastit të Leny Yoro verën e kaluar, por për momentin kjo është e tëra me lajmet për Saliban dhe mund t’u garantoj 100 për qind se ai është i fokusuar tek Arsenali tani”, përfundoi ai./Telegrafi/