Fabrika “Freesia” e cila gjendet në Lipjan është fabrika e vetme në Kosovë që punëson vetëm persona me nevoja të veçanta, duke shërbyer kështu si shembull frymëzues për përfshirjen e këtyre personave në tregun e punës.
Kjo fabrikë është një vend ku personat me nevoja të veçanta kanë mundësinë të punojnë dhe të kontribuojnë në prodhimin e letrës të llojeve të ndryshme.
Ambient i përshtatshëm, kushte të mira të punës, sigurim shëndetësor për punonjësit, e bëjnë këtë fabrikë si model pozitiv për të gjithë.
Drejtori menaxhues i fabrikës “Freesia”, Endrit Rexhaj për Telegrafin bëri të ditur se numri i punëtorëve të punësuar në këtë fabrikë aktualisht është dhjetë.
Gjithashtu ai tregoi se fabrika është hapur në maj të vitit 2023.
“Numri i personave që i kemi të punësuar për momentin është dhjetë. Ata me fabrikën janë përshtatur mirë. Puna po shkon shumë mirë. Kushtet që i kemi ofruar për punëtorët janë secili ka nga një pagë minimale bazë 500 euro, shujtat ditore i heqim ne, dhe kanë një orar të punës duke filluar nga 08:00 – 16:00 me gjysmë orë pauze ashtu sipas ligjit”, tha ai.
Rexhaj potencoi që synojnë të rrisin sa më shumë stafin, por që këtu ndikon edhe shitja që e bëjnë, derisa bëri thirrje që të blihen këto letra kuzhine dhe tualeti që punohen nga personat me nevoja të veçanta.
“Po mendojmë që në të ardhmen ta zgjerojmë stafin, sa më shumë duke punësuar persona të tjerë, pra ne varemi prej shitjes, atëherë sa më shumë që shesim, aq më shumë do ta zgjerojmë stafin”, theksoi Rexhaj.
Derisa foli për punën që bëhet në fabrikë, Rexhaj tregoi se aktualisht janë duke prodhuar pesë lloje të letrës.
Për Telegrafin ka folur edhe punëtorja Drita Xhylani, e cila është pjesë e fabrikës që 11 muaj.
Ajo u shpreh e kënaqur me kushtet dhe punën që bën në këtë fabrikë.
“Po, e kam gjetur veten shumë mirë”, potencoi ajo, derisa bëri thirrje që të gjithë personat që janë me nevoja të veçanta mund të interesohen dhe të bëhen pjesë e kësaj fabrike./Telegrafi/