Site icon Telegrafi

Evropa sheh “valën e të nxehtit të dimrit – të paprecedentë” me fillimin e vitit 2023

Temperaturat për muajin janar kanë arritur një nivel të lartë historik në një numër vendesh në të gjithë Evropën.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, rekordet kombëtare janë shënuar në tetë vende.

Për shembull në Varshavë, Poloni, të dielën ishte 18.9C (66F) ndërsa në Bilbao, Spanjë, ishte 25.1C – më shumë se 10C mbi mesataren.

Moti i butë evropian vjen pasi Amerika e Veriut përballet me stuhi më të forta, disa ditë pas një krize vdekjeprurëse të ftohtë dimri që la më shumë se 60 të vdekur. Por në anën evropiane të Atlantikut, moti ka qenë i qetë për shumë vende në fillim të vitit.

Temperaturat në Holandë, Lihtenshtajn, Lituani, Letoni, Republikën Çeke, Poloni, Danimarkë dhe Bjellorusi thyen rekordet kombëtare.

Dhe në Zvicër, temperaturat arrijnë në 20 gradë Celsius dhe moti i ngrohtë ka ndikuar në vendpushimet e skive nëpër Alpe.

Megjithatë, temperatura më të ftohta dhe borë parashikohen në pjesë të Skandinavisë dhe Moskë ku pritet të bien në -20 gradë Celsius deri në fundjavë.

Ndryshe, vetëm disa ditë më parë, Britania e Madhe, Irlanda, Franca dhe Spanja e shpallën vitin 2022 vitin e tyre më të nxehtë në histori.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe zgjasin më gjatë për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve. /Telegrafi/

Exit mobile version