Patrice Evra e ka përshkruar Andrea Pirlon si lojtarin e vetëm “me duar në vend të këmbëve”.
Mjeshtri italian i mesfushës u pensionua nga futbolli dhe lojtarë të shumtë e kanë nderuar karrierën e tij.
Natyrisht se nuk ka munguar edhe reagimi i ish-bashkëlojtarit të tij te Juventusi.
Mbrojtësi francez i ka kushtuar një postim në Instagram të shoqëruar me një fotografi të përbashkët të tyre.
“Mjeshtër”, e ka nisur me shkronja të mëdha postimin e tij 36-vjeçari.
“Ti je lojtari i vetëm me të cilin kam luajtur e që ka pasur duar në vend të këmbëve. Një fenomen i vërtetë”, ka shkruar Evra.
Patrice Evra ka qenë lojtar i Juventusit për tre vite, në periudhën 2014-2017.
Ndërkaq, Andrea Pirlo ka luajtur për Bianconerët nga viti 2011 deri në vitin 2015. /Telegrafi/