EVN Maqedoni i ka riparuar të gjitha defektet në rrjetin e shpërndarjes në rajonet më të prekura nga përmbytjet në rajonin e Shkupit, njoftuan sot nga kjo kompani, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Të gjitha 110 trafo-stacionet që ishin ndërprerë nga stuhitë e mëdha janë nën tension dhe pothuajse të gjithë konsumatorët në këtë rajon kanë energji elektrike. Tek rreth njëqind konsumatorë, me kërkesë të tyre ende nuk është lëshuar energjia elektrike për shkak se bodrumet dhe shtëpitë e tyre janë nën ujë dhe është shkatërruar tërësisht instalimi i brendshëm.
Edhe në lagjen Ilinden, trafo stacionet të cilat ishin nën ujë tashmë janë pastruar dhe vendosur nën tension.
Ekipet e EVN do të mbeten në terren për riparime të ndërprerjeve më të vogla eventuale në furnizim dhe do të punojë për t’i zëvendësuar pajisjet e dëmtuara energjetike.
Ekipet e kompanisë EVN Maqedoni, me të gjitha kapacitetet që i ka në dispozicion po punojnë në terren që sa më shpejt të riparohen dëmet dhe të sigurohet energji elektrike për të gjithë konsumatorët dhe në ditët e ardhshme do të mbeten në terren në rajonet e prekura në rajonin e Shkupit”, thuhet në njoftimin e sotëm të kësaj kompanie./Telegrafi/