Site icon Telegrafi

Eurozonë, “ngec” prodhimi

Rritja e prodhimit në Eurozonë “ngeci” gjatë Nëntorit ndërsa porositë e reja ranë me hapin më të shpejtë në 19 muajt e fundit, pavarësisht se çmimet vazhduan rënien.

Fakti më shqetësues për politikëbërësit e Bankës Qendrore Europiane, të cilët përballen me rrezikun e deflacionit, ishte se aktiviteti në fabrika ra në tre ekonomitë më të mëdha të bllokut, në Gjermani, Francë dhe Itali. “Situata e prodhimit të zonën euro është më e keqe se vlerësimet e mëparshme.
Ekziston rreziku që ky ngadalësim të përhapet edhe në ekonomitë e tjera të bllokut”, shprehet Chris Williamson, shef i ekonomistëve të Markit, që përpilon çdo muaj këtë studim. Indeksi përfundimtar i Markit për nëntorin ra në 50.1 pikë, niveli më i ulët që nga qershori i vitit 2013, nga 50.6 që ishte në tetor.

Në këtë mënyrë, ky indeks gjendet pranë 50 pikëve, që ndan rritjen nga kontraktimi.

Analistët mendojnë se ka shumë pak mundësi të përmirësimit në Dhjetor, pasi indeksi që mat porositë e reja ra në 48.7 pikë, niveli më i ulët në 19 muajt e fundit. Tendenca në rënie vazhon, pavarësisht se fabrikat ulën çmimet për të tretin muaj me radhë, madje me hapin më të shpejtë që nga mesi i vitit 2013.

Inflacioni vjetor ra në 0.3% për Nëntorin, duke u konfirmuar në atë që BQE e quan “zonë të rrezikshme”, ndërsa papunësia po qëndron në 11.5% për të tretin muaj me radhë gjatë tetorit. Pavarësisht këtyre të dhënave negative, nuk pritet që në takimin e së enjtes, Banka Qendrore Europiane të lehtësojë më tej politikën monetare.

Sipas një sondazhi të Reuters, ka shumë pak mundësi që Draghi të njoftojë në këtë takim blerjen e bonove qeveritare. /Telegrafi/

Exit mobile version