Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe ministrat e Financave u shprehën optimistë mbi rimëkëmbjen e ekonomisë së Eurozonës në periudhën e post pandemisë COVID-19.
Krahas kësaj, ata paralajmëruan se Evropa duhet të punojë fort për të shmangur një dëm afatgjatë ekonomik.
“Aktiviteti ekonomik po rigjallërohet. Pas recesionit teknik në tremujorin e fundit të 2020 dhe në tremujorin e parë të 2021, tashmë po shohim të dhëna shumë inkurajuese”, ka deklaruar Komisionari Evropian për Ekonominë, Paolo Gentiloni, në një konferencë për mediet pas takimit të ministrave të Financave të Eurozonës.
Ndërsa, presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, i mbështeti komentet e Gentilonit, por paralajmëroi se kriza shëndetësore mund të lerë shenja të mëdha, ndërsa ekziston edhe një divergjencë e madhe mes vendeve në procesin e rimëkëmbjes.
Parashikimet e Komisionit Evropian sugjerojnë se 27 vendet e Bashkimit Evropian do të arrijnë nivelet e parakrizës në mes të vitit 2022. Por, disa vende, si Gjermania dhe Franca do ta arrijnë këtë objektiv më herët, ndërsa vende të tjera si Italia dhe Spanja do të kthehet në periudhën parakrizës mbase në fund të 2022-së.
Në anën tjetër, të dhënat tregojnë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara do të rimëkëmben më shpejt dhe për këtë arsye nevojitet që Eurozona të veprojë me shpejtësi për të mbështetur potencialin e rritjes ekonomike.
Në muajt në vijim, Komisioni Evropian do të vlerësojë planet e investimeve dhe të reformave nga qeveritë e vendeve anëtare, që synojnë t’i bëjnë ekonomitë më të gjelbra dhe më të dixhitalizuara. /Telegrafi/