Site icon Telegrafi

Eurozona është në recesion ekonomik, çmimet e energjisë po shkaktojnë presion në konsumin familjar

Eurozona tashmë ka hyrë në recesion të shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë, që do të zgjasë deri në fund të vitit.

Në këtë vlerësim kanë arritur ekonomistët e grupit zviceran UBS, të cilët parashikojnë se ekonomia e Eurozonës do të tkurret me 0.1 për qind në tremujorin e tretë dhe më pas me 0.2 për qind në të katërtin.

“Me rritjet e reja të çmimeve të energjisë, që sjellin presione të mëtejshme në konsumin familjar, por edhe në investime, vlerësojmë se Eurozona do të hyjë menjëherë në një recesion teknik”, theksoi grupi i ekonomistëve të grupit, të cilët shtuan, se nëse konsumi i gazit do të racionohet “atëherë goditja ekonomike do të jetë shumë më e keqe”.

Megjithatë, ata vlerësojnë se nuk do të ketë mungesa serioze të energjisë, edhe nëse çmimet rriten më tej.

Pavarësisht perspektivës së tyre të rënies për tremujorin aktual dhe atë në bazë vjetore, ekonomistët e UBS kanë rishikuar perspektivën e tyre për të gjithë vitin, duke pasur parasysh performancën e fortë të Eurozonës në tremujorin e dytë deri në qershor, raporton Scan TV.

Për vitin e ardhshëm ata po rishikojnë parashikimet e tyre në rënie dhe tani vlerësojnë se do të ketë një rritje prej vetëm 0.8 për qind, ndërsa parashikimi i mëparshëm fliste për një rritje prej 1.2 për qind.

Po kështu, ekonomistët e Morgan Stanley tani shprehin më shumë pesimizëm për Eurozonën, pasi parashikojnë një recesion më të thellë sesa vlerësimi i tyre i mëparshëm.

“Vlerësojmë se ndikimi i krizës energjetike do të zgjasë më shumë edhe gjatë vitit të ardhshëm, pasi shohim që çmimet e larta të energjisë dhe pasiguria për furnizimin me energji do të vazhdojnë edhe në dimër”, theksojnë analistët e Morgan Stanley.

Por, ata nënvizojnë se jo gjithçka është “gri”, pasi supozojnë se do të pasojë një rimëkëmbje sepse do të rriten edhe investimet private edhe ato publike. /Telegrafi/

Exit mobile version