Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) kanë thënë se nuk do ta përjashtojnë Izraelin nga pjesëmarrja në “Eurovision Song Contest 2024”.
Siç raporton gazeta suedeze Aftonbladet, EBU beson se Radio Televisioni Publik i Izraelit (KAN) i plotëson të gjitha kriteret për të konkurruar në festivalin evropian, shkruan WiwiBloggs.
EBU tha në një deklaratë: “Eurovisioni është një garë ndërmjet organizatave të shërbimit publik nga e gjithë Evropa dhe Lindja e Mesme që janë anëtare të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU). Është një konkurs për transmetuesit – jo qeveritë – dhe transmetuesi izraelit ka marrë pjesë për 50 vjet në festival”.
Organizatorët e festivalit evropian thanë gjithashtu se dëshirojnë të ruajnë statusin e konkursit si “një ngjarje apolitike që bashkon audiencën në mbarë botën përmes muzikës”.
EBU shtoi se vendimi i tyre është informuar edhe nga federatat ndërkombëtare të sportit, të cilat ende mirëpresin atletët izraelitë në garat e mëdha.
Në fillim të këtij muaji, Federata Ndërkombëtare e Hokejit në Akull e ndaloi skuadrën e Izraelit të merrte pjesë në kampionatin botëror nën 20 vjeç.
Megjithatë, të mërkurën ata e kthyen vendimin e tyre pasi u vendosën masat e sigurisë për të adresuar rreziqet e pjesëmarrjes së Izraelit.
Pjesëmarrja e Izraelit në “Eurovision 2024” është shumë e diskutueshme në mes të luftës së vazhdueshme në Gaza.
Fansat e Eurovisionit kanë theksuar se përzgjedhja kombëtare e Izraelit ka përfshirë segmente të ngarkuara politikisht që politizojnë garën.
Kantautorët në Islandë, dy konkurrentë të Finlandës dhe këngëtarja përfaqësuese e Francës në ‘Eurovision 2023’, La Zarra janë ndër ata që kanë shprehur publikisht shqetësime për pjesëmarrjen e Izraelit në këtë kompeticion. /Telegrafi/