“Eurovision 2022” po afron.
Në datën 10 maj do të nisë nata e parë gjysmëfinale e garës së madhe evropiane të muzikës, për të vazhduar më pas me natën e dytë më 12 maj dhe finalen e madhe më 14 maj.
Shqipëria sivjet përfaqësohet nga këngëtarja shqiptare, Ronela Hajati, me këngën “Sekret”.
Ronela është përcaktuar të këndojë në natën e parë gjysmëfinale, në të cilën do të prezantohen gjithsej 17 shtete.
Faqja zyrtare e Eurovisionit, ka bërë të ditur sot (e martë) renditjen zyrtare sipas së cilës do të këndojnë shtetet në netët gjysmëfinale.
Sipas kësaj renditje, këngëtarja Hajati do të këndojë e para në mbrëmjen e parë gjysmëfinale, më 10 maj.
Dhjetë shtetet që do të sigurojnë më së shumti vota nga publiku dhe juria, do të kualifikohen për në finale dhe njëlloj do të ndodhë edhe natën e dytë gjysmëfinale të 12 majit.
“Eurovision 2022” mbahet në arenën “Pala Alpitour” në Torino të Italisë, pasi ky shtet shënoi fitoren vitin e kaluar me grupin Maneskin. /Telegrafi/