Telegrafi

Eurostat: Argëtimi dhe ushqimet mbajnë inflacionin e lartë në Shqipëri

Rritja e çmimeve në muajin korrik në Shqipëri rezulton të jetë në nivelin 5 për qind. Ky është përfundimi që nxjerr instituti evropian i statistikave Eurostat, ndryshe nga instituti kombëtar i statistikave INSTAT që e raporton 1 për qind më të ulët.

Me metodologjinë që përdor Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve është parë tek argëtimi dhe kultura, e më pas tek ushqimet dhe grupet e tjera.

Ndërkohë, inflacioni mesatar në Bashkimin Evropian ishte 6.1 për qind në korrik.

Në vendet e BE-së inflacioni është ulur me ritme shumë të shpejta se në Shqipëri. Unioni u përball me rritje të çmimeve me ritme dyshifrore vitin e kaluar të nxitura nga çmimet e larta të energjisë, teksa në Shqipëri, rritja e çmimeve, që është ndikuar nga ushqimet, ka mbetur e qëndrueshme.

Që ekonomia të jetë e shëndetshme, duhet që inflacioni të jetë rreth 3 për qind, dhe me parashikimet e kryera nga Banka e Shqipërisë, ky nivel pritet të arrijë në pjesën e parë të vitit 2024, nëse tregjet do të funksionojnë normalisht. /Telegrafi/