Policia ka arrestuar katër persona dhe ka larguar 100 serverë nga e gjithë Evropa dhe Amerika e Veriut në atë që EUROPOL thotë se është masa më e madhe kundër malware e kryer ndonjëherë.
EUROPOL ka njoftuar se ka arrestuar katër persona dhe ka larguar 100 serverë nga e gjithë Evropa dhe Amerika e Veriut në një operacion të madh kundër malware.
Gjithashtu, Agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së tha se mbi dy mijë domene tani janë nën kontrollin e zbatimit të ligjit.
Siç raportohet, operacioni Endgame i cili u krye midis 27 dhe 29 majit, ishte “operacioni më i madh ndonjëherë kundër bot-eve, të cilët luajnë rol të madh në vendosjen e viruseve ransomware”.
Disa prej bot-eve që janë çaktivizuar janë IcedID, Smokeloader, SystemBC, Pikabot dhe Bumblebee, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ndërsa të arrestuar janë tre shtetas ukrainas dhe një armen, me dhjetë urdhër-arreste tjera ndërkombëtare.
Bëhet e ditur se një nga të dyshuarit kryesorë të operacionit ka fituar të paktën 69 milionë euro kriptomonedha duke i dhënë me qera faqet që vendosnin ransomware.
Gjetja e të dyshuarve ishte përpjekje e koordinuar nga e gjithë bota, me operacionin e udhëhequr nga Franca, Gjermania dhe Holanda.
“Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë arritur t’i japin një goditje të rëndësishme skenës së krimit kibernetik. Falë bashkëpunimit intensiv ndërkombëtar, gjashtë nga familjet më të mëdha të malware u bënë të padëmshme”, tha Martina Link, nënkryetare e Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë.
Ndërkohë, më shumë se 20 oficerë të zbatimit të ligjit nga Danimarka, Franca, Gjermania dhe SHBA-ja koordinuan qindra oficerë në terren, si dhe disa poste komanduese virtuale me oficerët e Armenisë, Francës, Portugalisë dhe Ukrainës.
Sipas prokurores publike franceze, Laura Beccuau, sulmet malware kryhen shpesh kundër kompanive private, individëve dhe ndërtesave publike si spitalet.
Nga viti 2022 deri në vitin 2023, numri i sulmeve kibernetike në Francë është rritur për 30 për qind.
Ndryshe, Europol tha se operacioni nuk ka përfunduar ende. /Telegrafi/