Telegrafi

Europa Nostra e konsideroi të rrezikuar Manastirin, deçanasit kërkojnë reagimin e KFOR-it

Në Deçan nuk po pajtohen me vlerësimin e “Europa Nostra” se manastiri është në mesin e objekteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore.

Qytetarët  thonë se ky objekt po ruhet nga qytetarët, derisa sipas tyre Sava Janjiqi po nxit një politikë anti-shqiptare.

Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se Manastiri i Deçanit nuk është cenuar asnjëherë nga qytetarët shqiptar të Deçanit, përkundrazi është mbrojtur e ruajtur historikisht nga banorët lokal.

Ramosaj ka thënë se deçanasit janë të interesuar për të jetojnë në harmoni me Manastirin e Deçanit.

Shkodran Imeraj nga Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” fajëson kreun e këtij manastiri, Sava Janjiqin për politikë anti-shqiptare.

“Për neve si Lidhje e Historianëve, vendimi i organizatës është i njëanshëm dhe vendim politik. Ne nuk e dimë pse KFOR-i nuk po reagon për këtë çështje, kur ata prej 21 vitesh e mbrojnë këtë manastir. Prej më shumë se 10 viteve asnjë incident nuk ka ndodhur në afërsi të Manastirit të Deçanit”, deklaroi Imeraj për RTV Dukagjinin.

Lexo po ashtu Reagon kryetari i Deçanit: Manastiri nuk është cenuar asnjëherë nga shqiptarët, por është mbrojtur e ruajtur historikisht

Ndërkohë për vlerësimin e “Europa Nostra” ka reaguar edhe vet kreu i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Ai përmes një shënimi në Twitter ka thënë se ky manastir është i vetmi që mbrohet nga KFOR-i pasi sipas tij ndaj objektit kanë ndodhur katër sulme.

Janjiq thotë se këto sulme kanë ndodhur nga ekstremistët shqiptarë.

Lexo po ashtu Çeku: Vendimi për futjen e Manastirit të Deçanit në listën e objekteve më të rrezikuara, s’bazohet në logjikë të shëndoshë

Reagime ndaj vlerësimeve të organizatës  Europa Nostra ka pasur edhe nga krerë të institucioneve të Kosovës./Telegrafi/