Në Deçan nuk po pajtohen me vlerësimin e “Europa Nostra” se manastiri është në mesin e objekteve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore.
Qytetarët thonë se ky objekt po ruhet nga qytetarët, derisa sipas tyre Sava Janjiqi po nxit një politikë anti-shqiptare.
Kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj përmes një reagimi në Facebook, ka shkruar se Manastiri i Deçanit nuk është cenuar asnjëherë nga qytetarët shqiptar të Deçanit, përkundrazi është mbrojtur e ruajtur historikisht nga banorët lokal.
Ramosaj ka thënë se deçanasit janë të interesuar për të jetojnë në harmoni me Manastirin e Deçanit.
Shkodran Imeraj nga Lidhja e Historianëve “Ali Hadri” fajëson kreun e këtij manastiri, Sava Janjiqin për politikë anti-shqiptare.
“Për neve si Lidhje e Historianëve, vendimi i organizatës është i njëanshëm dhe vendim politik. Ne nuk e dimë pse KFOR-i nuk po reagon për këtë çështje, kur ata prej 21 vitesh e mbrojnë këtë manastir. Prej më shumë se 10 viteve asnjë incident nuk ka ndodhur në afërsi të Manastirit të Deçanit”, deklaroi Imeraj për RTV Dukagjinin.
Ndërkohë për vlerësimin e “Europa Nostra” ka reaguar edhe vet kreu i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.
Ai përmes një shënimi në Twitter ka thënë se ky manastir është i vetmi që mbrohet nga KFOR-i pasi sipas tij ndaj objektit kanë ndodhur katër sulme.
Janjiq thotë se këto sulme kanë ndodhur nga ekstremistët shqiptarë.
Reagime ndaj vlerësimeve të organizatës Europa Nostra ka pasur edhe nga krerë të institucioneve të Kosovës./Telegrafi/