Ish-ministrja franceze për çështjet Evropiane, Nathalie Loiseau, tash deputete në Parlamentin Evropian, vlerësoi se Ballkani “nuk është aspak i gatshëm” për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sikurse BE-ja që nuk është e gatshme të mirëpresë këto vende, raporton France Press.
“Është e domosdoshme që Evropa të bëjë shumë më tepër ndaj vendeve të Ballkanit. Kjo nuk do të thotë se vendet e Ballkanit mund të anëtarësohen nesër në BE. Këto vende nuk janë aspak të gatshme për anëtarësim, dhe ne nuk jemi gati t’i presim”, tha Nathalie Loiseau.
Ajo tha gjithashtu se nuk pajtohet me integrimin e menjëhershëm, por për një “partneritet të afërt në nivel ekonomik por edhe politik, në mënyrë që të shmangen tensionet”.
Duke folur për raportet ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit, ish-ministrja franceze tha se nga këndvështrimi diplomatik, “ekzistojnë gjëra që BE-ja nuk i ka bërë mjaftueshëm në Balkan, rajon i cili në aspektin gjeografik, historik dhe kulturor është në zemër të Evropës”.
Jo vetëm ish-ministrja franceze, por edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron është ndër kundërshtarët më të mëdhenj të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kohë më parë ai ka thënë se do të bllokojë çdo përpjekje për zgjerimin e Bashkimit Evropian, derisa ky i fundit të kalojë nëpër reforma të thella.