Site icon Telegrafi

Eurodeputetët: Nëse Shqipëria synon hapjen e negociatave, duhet të plotësojë angazhimet

Në një deklaratë të përbashkët, Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian David McAllister, raportuesja për Shqipërinë Isabel Santos dhe kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis i kanë bërë thirrje Parlamentit të Shqipërisë të miratojë sa më parë të jetë e mundur marrëveshjen e 5 qershorit mbi reformën zgjedhore.

“Presim nga shumica parlamentare që të miratojnë ndryshimet e nevojshme pa cenuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Çfarëdo ndryshimi ndaj marrëveshjes, pa arritur më parë konsensus me të gjitha partitë e tjera politike, do të vinte në rrezik mbajtjen e konferencës së parë për negociatat e anëtarësimit,  e për rrjedhojë do të ngadalësonte procesin e integrimit europian. ”

“Çdo vend është i lirë të zgjedhë e të përmirësojë sistemin zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Megjithatë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim mbi sistemin zgjedhor duhet kryer me transparencë dhe të jetë gjithëpërfshirës, e duke nisur të paktën një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme”, thuhej më tej në deklaratë.

Parlamenti Europian është zotuar se do të mbështesë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me parlamentin shqiptar për të lehtësuar dialogun dhe arritjen e konsensusit në reforma thelbësore në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe llogaridhënies, të cilat janë të nevojshme për të ardhmen e vendit në BE.

Shqipëria ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në 2014. Këshilli vendosi të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 25 mars 2020, në kuadër të propozimeve të Komisionit mbi metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.

Në qershor të vitit 2020, Komisioni prezantoi draftin e kuadrit negociues i cili, në momentin që do të finalizohej, do të përdoret për të negociuar hyrjen në BE të dy shteteve të Ballkanit. Vendet anëtare të BE duhet të miratojnë këto dokumente dhe presidenca e Këshillit do t’i prezantojë në fillim të hapjes së negociatave. Publikimi i raportit të Komisionit Europian për 2020 është shtyrë deri në vjeshtë për shkak të pandemisë COVID-19.

Exit mobile version